Maqedonia e Veriut ka miratuar një Ligj të ri për përdorimin e energjisë nga burimet e rinovueshme, i cili synon të rrisë prodhimin vendas të energjisë elektrike, të ulë varësinë nga importi dhe të përshpejtojë tranzicionin drejt energjisë së gjelbër, transmeton Portalb.mk.
Ligji sjell procedura më të shpejta për marrjen e lejeve për ndërtimin e kapaciteteve të reja energjetike, ndërsa parashikon edhe krijimin e të ashtuquajturave “zona të gjelbra”, ku projektet për energji të rinovueshme do të zhvillohen me procedura të përshpejtuara.
Një nga risitë kryesore është lehtësimi i procedurave për instalimin e paneleve diellore në amvisëri. Familjet do të kenë afate më të shkurtra për marrjen e lejeve dhe kyçjen në rrjetin elektrik, duke e bërë më të lehtë prodhimin e energjisë për nevojat e tyre dhe shitjen e tepricës së energjisë.
Ligji krijon gjithashtu bazën ligjore për formimin e komuniteteve energjetike. Qytetarët, bizneset dhe komunat do të mund të bashkëpunojnë për prodhimin, ruajtjen dhe përdorimin e përbashkët të energjisë nga burimet e rinovueshme, duke nxitur investimet lokale në sektorin e energjisë.
Një rëndësi e veçantë i është kushtuar edhe mbrojtjes së mjedisit. Projektet nuk do të lejohen në zona me biodiversitet të lartë apo në korridore të rëndësishme të migrimit të shpendëve, ndërsa investitorët do të jenë të detyruar të rikthejnë gjendjen e terrenit pas përfundimit të përdorimit të objekteve energjetike.
Mbështetja për investimet nuk do të bazohet më në subvencione fikse, por në ankande konkurruese dhe mekanizma të tregut, me synim rritjen e transparencës dhe tërheqjen e më shumë investimeve në energjinë e pastër. Pjesa më e madhe e dispozitave të ligjit do të hyjë në fuqi nga viti 2028.