Pas një procedure hetimore, prokurori publik nga Prokuroria Themelore Publike Shkup ka dorëzuar aktakuzë kundër katër personave për veprën penale prodhim dhe shpërndarje e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe prekursorëve nga neni 215 paragrafi 1 në lidhje me nenin 22 të Kodit penal. Njëri nga të akuzuarit ndiqet edhe për veprën penale – Prodhim, posedim, ndërmjetësim dhe tregtim i paautorizuar i armëve apo lëndëve shpërthyese nga neni 396 paragrafi 1 i Kodit Penal, transmeton Portalb.mk.
Nga Prokuroria thonë se bëhet fjalë për katër persona (tre meshkuj dhe një femër), në lidhje familjare, të cilët në një auto-servis në Gjorçe Petrov kanë mbajtur 133 kg marihuanë, prej së cilës më 2 maj kanë ndarë në paketime 99.6 kg për shitje.
“Në të njëjtën ditë, bashkërisht kanë organizuar bartjen e marihuanës, duke lëvizur me tre vetura njëra pas tjetrës – automjeti i parë për njoftuar nëse ka patrulla policore, automjeti i dytë me drogë dhe vetura e tretë për mbrojtje. Kur policia i urdhëroi të ndalonin në rrugën ‘Skupi’, vetura e parë nuk ndaloi fare dhe i akuzuari u largua. Dy mjetet e tjera janë ndaluar menjëherë dhe gjatë kontrollit janë gjetur kutitë me drogë. Pas kontrollit në servisin e makinave, është gjetur pjesa tjetër e marihuanës, por janë gjetur edhe katër fishekë, të cilat njëri nga të pandehurit i mbante pa leje”, thonë nga Prokuroria.
Pas privimit nga liria të katër të të akuzuarve, me sugjerim të prokurorit publik u është caktuar masa e arrestit. Me ngritjen e aktakuzës, prokurori publik ka dorëzuar në Gjykatën Themelore Penale Shkup propozim për vazhdimin e masës së paraburgimit, sepse ende ekzistojnë bazat ligjore – rreziku i arratisjes dhe mundësia e përsëritjes së veprës penale.