RMV-ja e nënshkroi marrëveshjen për grant me BERZH për fillimin e fazës së dytë të projektit rajonal për menaxhimin e mbeturinave të ngurta 

Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor ka nënshkruar marrëveshje për grant me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), në vlerë prej 2 milionë euro, me të cilën fillon përgatitja e fazës së dytë të Projektit Rajonal për Menaxhimin e Mbeturinave të Ngurta në Maqedoninë e Veriut, transmeton Portalb.mk

Këto mjete granti prej 2 milionë euro për mbështetje teknike, të siguruara përmes Instrumentit Korniza e Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF), janë të destinuara për zbatimin e studimeve të fizibilitetit dhe analizave mjedisore dhe sociale për rajonin e Vardarit dhe atë Juglindor, si parakusht për ndërtimin e deponive sanitare moderne, stacioneve të transferimit dhe pajisjeve për menaxhimin e mbeturinave në rajon, sipas standardeve më të larta të BE-së. 

Sipas ministrit të Mjedisit Jetësor, Izet Mexhitit me këtë sigurohet përgatitje teknike për rajonin e Vardarit dhe atë Juglindor, që është parakusht për ndërtimin e infrastrukturës moderne: deponi sanitare, stacione transferimi dhe sistem për menaxhim efikas të mbeturinave.

Përfitimet janë konkrete – mjedis më i pastër, standarde evropiane dhe përmirësim i drejtpërdrejtë i cilësisë së jetës për qytetarët”, Mexhiti. 

Biljana Millosheska nga BERZH deklaroi se ky projekt paraqet një hap të rëndësishëm drejt një të ardhmeje të gjelbër dhe të qëndrueshme për vendin.

“Gjithashtu, është iniciativa e parë e Bankës në këtë sektor, duke mbështetur zbatimin e sistemeve për menaxhimin e mbeturinave të harmonizuara me standardet e BE-së për më shumë se një milion banorë në tre rajone planifikimi dhe 45 komuna”, tha Millosheska. 

Ambasadori i BE-së në vend, Mihail Rokas theksoi se ruajtja e bukurive natyrore të Maqedonisë së Veriut kërkon një luftë të vendosur dhe rigoroze kundër mbeturinave të ngurta në nivel qendror dhe lokal.

“Me 2 milionë euro grant nga WBIF, ne e vazhdojmë përkushtimin e BE-së për ta ndihmuar vendin në gjetjen e zgjidhjeve më të mira për përballjen me problemin e mbeturinave të ngurta. Ky është vetëm fillimi i mbështetjes financiare të vazhdueshme të BE-së për Maqedoninë e Veriut në fushën e mjedisit dhe menaxhimit të mbeturinave”, tha Rokas. 

Projekti Rajonal për Mbeturinat e Ngurta, i financuar me kredi nga BERZH prej 55 milionë euro, e nënshkruar më parë, përfshin ndërtimin e deponive sanitare, stacioneve të transferimit dhe infrastrukturës për mbledhjen e mbeturinave në disa rajone.

Faza e parë prej 47.5 milionë euro, tashmë është në fazë zbatimi dhe përfshin aktivitete në rajonin e Pellagonisë, Jugperëndimor dhe të Pollogut, ndërsa ky grant mundëson përgatitjen teknike për mobilizimin e aktiviteteve edhe në rajonin e Vardarit dhe atë Juglindor. 

Granti është pjesë e një mbështetjeje më të gjerë financiare të siguruar nga BE-ja dhe WBIF, që përfshin edhe një grant investues prej 21.7 milionë euro, i cili do të nënshkruhet gjatë zbatimit të Projektit Rajonal për Menaxhimin e Mbeturinave të Ngurta. 

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH)Deponi ilegaleDeponi rajonaleIzet MexhitiMihalis Mikalis Rokas (Michalis Rokas)Ndotja e tokës mbeturina