RMV, Instituti për Shëndet Publik me rekomandime për qytetarët gjatë temperaturave të larta

Preferohet të pini ujë të pijshëm të sigurt. Uji i pijshëm duhet të jetë pa akull, për parandalimin e sëmundjeve infektive dhe ftohjes. Mbani kapelë me buzë të gjerë dhe syze dielli me mbrojtje UV dhe vishni veshje pambuku të lehta/të bardha, të lirshme dhe me ngjyra të çelura. Këto janë disa nga rekomandimet e Institutit të Shëndetit Publik për shëndetin publik për udhëtimet verore, transmeton Portalb.mk.

“Planifikoni aktivitete në natyrë gjatë periudhave më të freskëta të ditës, para orës 11 dhe pas orës 17:00. Pushoni shpesh dhe përpiquni të qëndroni në hije kur jeni jashtë. Nëse jeni duke bërë aktivitete të sforcuara në vapë, si shëtitje ose çiklizëm, përpiquni të ambientoheni me temperaturën e jashtme përpara atij aktiviteti duke u ushtruar 1 orë në ditë në vapë. Nëse ndodheni në një hapësirë ​​të mbyllur me ftohje nga kondicioneri i ndezur, përpara se të dilni jashtë në një ambient të nxehtë, fikeni kondicionerin të paktën gjysmë ore përpara, në mënyrë që të përshtateni më lehtë me diferencën e temperaturës”, rekomandon IShP.

Nga ky institucion shtojnë se moti i nxehtë shpesh nënkupton rrezik më të lartë të sëmundjeve të lidhura me nxehtësinë, më shumë aktivitete në natyrë dhe më shumë pickime nga insektet.

“Informohuni (Internet, agjenci, njohje personale, etj.) për gjendjen e përgjithshme shëndetësore, sëmundjet infektive dhe rreziqet e mundshme shëndetësore në zonën ku planifikoni të udhëtoni. Të paktën një muaj përpara udhëtimit tuaj të planifikuar, kontrolloni rekomandimet për terapinë profilaktike (p.sh. barnat e malaries) dhe/ose vaksinimin (p.sh. ethet e verdha) në zonën ku planifikoni të udhëtoni. Sigurohuni që të keni marrë vaksinat tuaja rutinë, veçanërisht të jeni të përditësuar me statusin e vaksinimit të fëmijëve me të cilët po udhëtoni”, shtohet në rekomandime.

Në pushim shkohet, shtojnë nga IShP, me çantën e ndihmës së parë, barna për terapi kronike (nëse ka), antipiretikë, analgjezik, ilaçe për problemet gastrointestinale.

“Përveç këtyre, sigurohuni që të merrni me vete ilaç kundër insekteve, krem ​​kundër diellit me faktor mbrojtës UV mbi 30, dezinfektues me bazë alkooli dhe librezën shëndetësore”, njofton ISHP.

Në lidhje me mbrojtjen kundër pickimeve, rekomandojnë përdorimin e repelentëve (rezistent kundër mushkonjave) për zonat tropikale, në pjesët e pambuluara të lëkurës së trupit, duke shmangur mukozën (sytë, hundën, gojën), ditën dhe natën, brenda dhe jashtë.

“Rrobat që vishni duhet të jenë me ngjyra të çelura, me mëngë dhe këmbë të gjata. Mbani në mend se mushkonjat pickojnë ditën dhe natën, jashtë dhe brenda. Mushkonjat që transmetojnë infeksionet Zika, dengue dhe chikungunya janë më aktive gjatë ditës dhe në muzg, dhe mushkonjat që transmetojnë malarien janë më aktive në muzg dhe në mbrëmje. Përdorni rrjeta sigurie. Nëse keni ethe (38°C e lart) ose simptoma të tjera gjatë udhëtimit tuaj, kërkoni kujdes mjekësor. Malaria dhe sëmundjet tjera tropikale mund të jenë serioze dhe duhet të trajtohen menjëherë”, theksojnë nga IShP.

Instituti i Shëndetit Publik (ISHP)MotiPushime veroreTemperatura të larta