RMV, fushata kundër kancerit të gjirit me moton “parandalimi është mbrojtja më e mirë”

Ministria për Shëndetësi në Maqedoninë e Veriut përmes disa aktiviteteve do të shënon muajin rozë, muaji i njohur në luftën kundër kancerit të gjirit, transmeton Portalb.mk.

“Ministria e Shëndetësisë ka nisur një kampanjë kombëtare me moton “Karavani Rozë i Tetorit – parandalimi është mbrojtja më e mirë”, me qëllim të rritjes së ndërgjegjësimit për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit”, raportoi Ministria.

Më 19 tetor (12:00-16:00) dhe më 26 tetor nga ora 13:00, në qendrën tregtare “Skopje City Mall” do të ketë kënd për informim në lidhje me parandalimin dhe trajtimin e kancerit të gjirit. Në kinema të kësaj qendre tregtare do të ketë edhe tribunë qendrore prej orës 13:00 ku panelistë do të jenë anëtarët e komisionit kombëtar për skriningun e kancerit të gjirit.

“Kampanja realizohet me mbështetje nga OBSH, UNFPA, qyteti i Shkupit, Shoqata për ndihmë dhe mbështetje të pacientëve me sëmundje gjinekologjike Femina M, si dhe nga Opera dhe Baleti Kombëtar, Fakulteti i Arteve Muzikore në Shkup dhe kompanitë Shkup City Mall dhe Sinëpleks“, raportoi Ministria.

Ndryshe, 346 gra vitin e kaluar e humbën betejën me kancerin e gjirit në Maqedoninë e Veriut. Megjithatë, ekspertët e fushës theksojnë se zbulimi i hershëm parandalon sëmundjen, andaj vetë-kontrollet dhe kontrollet te mjeku duhet të jenë të rregullta. Gjatë vitit 2022 në Botë 2.3 milionë gra u diagnostikuan me kancer të gjirit ndërsa 670 mijë e humbën jetën.

Rekomandohet që çdo grua mbi moshën 25 vjeçare të kryejë vizitë te mjeku një herë në vit, ndërsa gratë mbi 40 vjet dy herë në vit. Ndonëse më rrallë, kanceri i gjirit i prek edhe burrat, përafërsisht 1 përqind e rasteve të kancerit të gjirit regjistrohen te burrat.

 

Arben TaravariBarazi gjinoreDita Botërore e Shëndetësisë 7 PrillKanceriKanceri i gjiritMinistria e Shëndetësisë (MSH)Shëndetësi - Shëndeti