Komisioni Parlamentar për Zgjedhjet dhe Emërimet do të diskutojë sot për kandidatët që plotësojnë kushtet pas Vendimit për shpalljen e Konkursit Publik për emërimin e anëtarëve të Këshillit të Agjencisë për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizive, transmeton Portalb.mk.
Gjithsej 24 kandidatë do të “luftojnë” për shtatë vendet e reja në Këshill.
Ata tashmë kanë kaluar “filtrin” e Komisionit Parlamentar të Zgjedhjeve dhe Emërimeve, pas së cilës do t’u përgjigjen pyetjeve të deputetëve në një dëgjesë publike.
Në konkursin publik u regjistruan 31 kandidatë, ndërkohë një u tërhoq dhe gjashtë u skualifikuan pasi nuk kishin dorëzuar certifikatë shtetësie.
Kanë mbetur vetëm 24, por menjëherë para seancës së djeshme të komisionit parlamentar kanë hequr dorë dy nga kandidatët: Mile Bosnjakovski dhe Viktor Grozdanov.
22 kandidatë nga të cilët deputetët duhet të zgjedhin më tej përbërjen e re të ASHMAA janë: Sasho Stefanovski, Nafije Selmani, Dragica Ljubeska, Petar Xhurovski, Emilia Petreska Kamenjarova, Shaban Dalipi, Andriana Skerlev Çakar, Lazo Petrushevski, Zoran Fidanoski, Arben Saiti, Janevska Emilia, Davor Bashoski, Daut Douti, Gordana Majnova, Viktor Pavlovski, Vladimir Gjorgjievski, Elena Stojkovska, Zerijeta Hajro Jajaga, Cvetanka Minovska, Stojançe Naumov, Afrona Vërzivoli dhe Boris Arsov.
Ligji ndalon që një person i emëruar nga Kuvendi ose Qeveria të zgjidhet anëtar i Këshillit. Ligji ndalon gjithashtu të zgjidhen anëtarë të Këshillit personat që kanë qenë anëtarë të organeve drejtuese të partive politike në 10 vitet e fundit. Ligji kërkon që kandidatët të kenë të paktën tetë vjet përvojë pune në këtë profesion dhe që janë dalluar në fushën e komunikimit, gazetarisë, informatikës, kulturës, ekonomisë apo drejtësisë.
Anëtarët aktualë janë zgjedhur në vitin 2014 për një mandat 7-vjeçar. Më pas ligji u ndryshua për të shkurtuar mandatin në 5 vjet, por u bënë edhe ndryshime në mënyrë që mandati i anëtarëve aktualë të zgjasë deri në zgjedhjen e të rinjve. Prej vitesh Kuvendi nuk mund të votonte të reja, gjë që u vu re edhe në raportin e Komisionit Evropian për ecurinë e vendit.
“Në kundërshtim me Ligjin dhe kushtet e konkursit, komisioni për çështje të zgjedhjeve dhe emrimeve kaloi listën ku bëjnë pjesë edhe dy kandidatet, Afrona Vërzivolli dhe Nafie Selmani. E para është kandidate e grupit të Arben Taravarit, e nominuar më herët për Kryerevizore e fondeve IPA, anëtare partiake dhe bashkëshorte e kryetarit të degës së grupit të Taravarit në Likovë, Adrian Demiri. Edhe në postin për kryerevizor ku u refuzua për shkak të mospërmbushjes së kushteve, Vërzivolli u propozua në Qeveri si kuadër partiak. Kandidatja tjetër, Nafie Selmani, ka qenë kandidate e Alternativës për kryetare e Qytetit të Shkupit, kandidate për këshilltare komunale në Çair si dhe në zgjedhjet e fundit parlamentare, kandidate e kësaj partie në listën për deputetë”, reaguan nga ASH.
Zgjedhja e anëtarëve të rinj të Këshillit të Agjencisë për Shërbime Mediatike, Audio dhe Audio-Vizuale (AShMAA) dhe Këshillit Programor të RTM-së, zvarritet prej vitesh, për faktin se partitë maqedonase nuk arrinin të gjejnë gjuhë të përbashkët.
Kujtojmë se edhe në raportin e fundit të Komisionit Evropian, u kërkua një gjë e tillë, pra të emërohen anëtarë të Këshillit Programor të Transmetuesit Publik dhe Këshillin Rregullator të Medias.
Përveç tjerash, u vlerësua se amandamentet në ligjet për median dhe Kodi Zgjedhor nuk ishin gjithëpërfshirëse dhe prandaj çështjet e shumta të vjetra mbeten të pa adresuara. Rekomandimet e Komisionit nga viti i kaluar janë zbatuar vetëm pjesërisht dhe për këtë arsye mbeten të vlefshme. Në vitin e ardhshëm, vendi duhet të vazhdojë të rishikojë kuadrin ligjor që rregullon median për ta përafruar atë me acquisin e BE-së dhe standardet evropiane, veçanërisht duke futur rregulla për transparencë të plotë në pronësinë dhe reklamimin e medias, konkurrencën dhe ndihmën shtetërore, dhe të drejtat e pronësisë intelektuale, në përputhje me tregun e përbashkët të BE-së; të zbatojë strategjinë për reformimin e Servisit Publik dhe të emërojë Këshillin Programor të Transmetuesit Publik dhe Këshillin Rregullator të Medias.