“Rilindja” rikthehet në format digjital, trashëgimia e shtypit shqip në Kosovë bëhet e qasshme për të gjithë

Biblioteka Kombëtare e Kosovës njoftoi se është në fazën përfundimtare të përgatitjes dhe plotësimit të koleksionit të digjitalizuar të gazetës “Rilindja”, projekt që po realizohet në bashkëpunim të ngushtë me Arkivin Shtetëror të Kosovës, shkruan Portalb.mk.

Sipas njoftimit të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, numrat e gazetës “Rilindja” që mungonin në fondin e saj për periudhën 1945–1963 janë identifikuar në fondet e Arkivit Shtetëror të Kosovës dhe aktualisht po digjitalizohen, me qëllim që i gjithë koleksioni i kësaj gazete të jetë së shpejti i qasshëm për publikun në format digjital.

Ky proces po zhvillohet në bazë të një marrëveshjeje dypalëshe të nënshkruar ndërmjet Bibliotekës Kombëtare dhe Arkivit Shtetëror, që parasheh bashkëpunim institucional për ruajtjen dhe digjitalizimin e trashëgimisë dokumentare të Kosovës.

“Kjo nismë synon jo vetëm ruajtjen e pasurisë dokumentare, por edhe ofrimin e qasjes së lirë për studiuesit, gazetarët dhe publikun e gjerë, të cilët duan të eksplorojnë historinë e shtypit në Kosovë”, thuhet në njoftim.

Foto nga gazeta “Rilindja”. Foto: Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” (Facebook)

Gazeta “Rilindja”, e themeluar në vitin 1945, përbënte organin e parë dhe më të rëndësishëm të shtypit në gjuhën shqipe në Kosovë, duke pasur ndikim të thellë në zhvillimet kulturore, arsimore dhe politike të vendit.

Koleksioni i digjitalizuar i gazetës “Rilindja” është tashmë i qasshëm për publikun dhe mund të shfletohet pa pagesë përmes platformës digjitale të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës.

BibliotekaGazetaKosovaKultura shqiptareKulturë lajme