Rilindja e njerëzimit

Rilindja e njerëzimit është vepra e dytë e Sezai Karakoçit (1933-2021), njërit nga poetët, mendimtarët dhe intelektualët më të mëdhenj të Turqisë moderne, përkthyer në gjuhën shqipe pas Mendime dhe koncepte (Logos-A, 2017). Ky poet i sinkretizmit të besimit islamik me elementet moderne, i filozofisë së ringjalljes, i kombëtares dhe shpirtërores, i metafizikës, i traditës, në këtë vepër – botuar 25 herë në origjinal – të përbërë nga tre kapituj (“Burimi i krizës”, “Tablloja” dhe “Njeriu i rilindjes”) flet për krizën qytetërimore në të cilën gjendet njerëzimi, për qytetërimin si një fenomen që lidhet me shpirtin, mendjen dhe zemrën e njeriut, si një objekt historik dhe një ndryshim, për rrugët e daljes nga kjo krizë që na ka pllakosur të gjithëve në shekullin tonë.

Ai kritikon modernizmin, si fabrikë mendimore që e ka shkëputur njeriun nga historia, nga tradita, nga kuptimi, nga vlerat, dhe që ka prodhuar individë egoistë në kërkim të rehatisë, rrugë kjo pa krye dhe antitezë e qytetërimit të së vërtetës së shpallur nga profetët që afirmojnë harmoninë dhe lumturinë e mirëfilltë. Sipas tij, shpëtimtar i botës mund të jetë vetëm idealisti – një prurës i një rendi të ri social, i shoqërisë së rizgjimit dhe projektit të ringjalljes, që do t’i zgjidhë problemet e civilizimit, që do t’ua gjejë fijen problemeve metafizike që qëndrojnë të fshehura pas maskës së suksesit që zgjat që nga Renesanca deri në ditët e sotme.

Sipas shenjtëristit (mukaddesatçı) Karakoç  (Vörmes, 2022), idealisti e kundërshton vetidolizimin, pikëpamjen shfrytëzo “momentin”, ai bashkëjeton me “të përjetshmen”, ngulmon në atë që nuk vjetrohet, që nuk shkatërrohet e nuk bëhet shkrumb e hi. Njerëzimi po zgjohet nga gjumi, po fillon t’i gjejë forcat për të kërkuar llogari nga Perëndimi i qiellgërvishtësve të çeliktë, i shkëputur nga tempujt dhe që nuk i sheh ose nuk dëshiron t’i shohë qytetërimet e tjera. Tendenca e jo-Perëndimit për t’u perëndimizuar nuk është gjë tjetër, veçse pajisje me armët e Perëndimit, forcim në nivelin e tij dhe dëshirë për të shpëtuar nga ndikimi i tij.

Koncepti i ringjalljes shënjon një ndryshim radikal të brendshëm, që më pas fillon të pasqyrohet jashtë duke na shpëtuar nga ajo që autori e quan “robëri e vullnetshme” (Tesad, 2023), që promovohet nga arsyeja instrumentale dhe propaganda, nga matricat progresiviste-pozitiviste, teknocentriste. Ligjërata e këtij filozofi social mëson se për ta arritur rigjallërimin, para rilindjes besimore duhet ta arrijmë rilindjen e mendimit. “Në asnjë mënyrë nuk duhet të frikohemi nga të menduarit.” – shprehet Karakoç. Mendimi çliron, e pengon eksploatimin.

Për njeriun e ringjalljes ka trokitur dita që të lindë një njeri të ri, që do ta ndërtojë një botë të re. Ka mbërritur dita e njeriut që ka një “parim qytetërimi”, një botëkuptim të thellë përtej fizikës, një moral të ri sakrifice, që nuk e devijon të ardhmen me dorën e vet, që duke e jetuar këtë botë, e jeton edhe botën tjetër.

Do shënuar se Karakoçi, ndonëse i cilësuar si poet islamist (Doğan, 2023), është inkluziv, nuk është përjashtues, nuk flet për një krizë të këtij ose atij qytetërimi, por për një krizë të qytetërimit njerëzor, pra njeriun e vë në epiqendër, pa atribute etnike, fetare, kontinentale, pa diferencimin klasik Lindje-Perëndim. Pra, në analizë të fundit, koncepti i tij është human, humanist. Kërkon rilindje dhe shpëtim për njeriun dhe njerëzimin.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Ali PajazitiKolumnat e Portalbit