Rexhepi për punësimet misterioze në Komunën e Tetovës: Po bëhet mashtrim masiv 

Pas analizave të Portalb.mk për shpenzimin e milionave nga Komuna e Tetovës për punësime përmes agjencionit privat dhe raportimet e mediave tjera për ndarjen e parave komunale për njerëz të afërm të kryetarit të komunës, kandidati për kryetar të Tetovës nga AKI, Bajram Rexhepi ka thënë se në Komunën e Tetovës po bëhet mashtrim masiv dhe se së shpejti do t’i publikojnë të dhënat. 

Kandidati për kryetar të Tetovës i Aleancës Kombëtare për Integrim (AKI) nga BDI-ja, Bajram Rexhepi, tha se kanë informata të detajuara lidhur me kontratat, që po bëhen në Komunën e Tetovës, siç tha, fiktive, dhe se së shpejti do t’i bëjnë publike.

“Kemi informacione të detajuare se çfarë është duke ndodhur në komunën tonë. Është duke u bërë një mashtrim masiv, ne kemi informacione të detajuara se çfarë është duke ndodhur, kontratat nuk janë duke u bërë me institucionet komunale, as me komunën as me ndërmarrjet publike, janë kontrata fiktive prej disa kompanive që janë duke ndodhur aktualisht mashtrime të tilla. Jemi duke i ndjekur hap pas hapi, mos të guxojnë të bëjnë mashtrime të tilla, se shumë shpejt do vijë dita që do të japin përgjegjësi për këtë blerje masovike që është duke ndodhur në Tetovë. Shumë shpejt do i shpallim të gjithë këto analiza dhe informacione”, tha Rexhepi.

Së fundmi edhe gazeta Fokus raportoi se donatorë të Lëvizjes Besa dhe të afërm të Kasamit kanë marrë para nga Komuna e Tetovës.

Portalb.mk ditë më parë nxori në pah se nga viti 2022 deri në 2025, Komuna e Tetovës së bashku me ndërmarrjet publike “Tetova Transport” dhe “Sharri” kanë shpenzuar mbi 1.6 milionë euro në kontrata për punësime të përkohshme përmes Agjencisë private për punësim “Xhob 2011”.

Edhe pse janë paguar me para publike, opinioni nuk e di se ku kanë shkuar këto para.

Në ndërkohë, Komuna e Tetovës më 15 gusht 2025 ka hapur sërish tender të ri për punësime të përkohshme, thirrja publike e të cilit ka mbaruar më 1 shtator 2025. 

Foto: Printscreen nga e-nabavki.gov.mk

I pyetur se pse nuk i publikojnë emrat e të punësuarve përmes agjencionit privat, kryetari i komunës, Bilall Kasami tha se në kuadër Ligjit për qasje deri te informatat me karakter publik mund të merren informata për çdo punëtor në Komunën e Tetovës qoftë me vendim të përhershëm apo të përkohshëm.

Megjithatë, në të kaluarën Portalb.mk i ka kërkuar këto të dhëna, por nga Komuna e Tetovës nuk janë përgjigjur. 

“Gjithë ajo që është e lejuar në bazë të ligjit do të merrni si informacion”, tha Kasami.

I pyetur se pse nuk i publikojnë të dhënat, Kasami tha se nuk mund ta bëjnë një gjë të tillë.

“Nuk mund t’i publikojmë emrat e të punësuarve në komunë, pra ne publikojmë emrat e atyre të cilët janë përgjegjës të sektorëve dhe njësive të caktuara, por atë që nuk e lejon ligji për publikimin e të gjitha emrave, ne nuk mund t’i publikojmë, si gazetar mund të interesoni për çdo punëtor, se a është i punësuar, ku është i punësuar dhe a vjen në punë që ne të ju japim informata konkrete”, tha Kasami. 

Për këto të dhëna, Portalb.mk ka dorëzuar në Komunën e Tetovës kërkesë përmes Ligjit për qasje të lirë në informatat me karakter publik, ku komuna duhet të kthejë përgjigje brenda afatit ligjor prej 20 ditëve. 

Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Për këto punësime kritikuan nga Më Mirë për Tetovën dhe Bashkimi Demokratik për Integrim. 

Ndërkaq, pas pyetjeve të Portalb.mk, Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit formoi lëndë për këto kontrata.

Kryetari aktual i Komunës, Bilall Kasami, para se të vijë në krye të komunës premtoi llogaridhënie permanente dhe komunë transparente, e cila gjendet edhe në programin zgjedhor për Tetovën 2021-2025. Ku në mes tjerash theksohet: Llogaridhënia permanente për shpenzimin e mjeteve publike, veprimet e administratës të jenë të verifikueshme online për qytetarët dhe të tjera. 

Pavarësisht premtimeve për transparencë, Komuna nuk i ka treguar emrat e të punësuarve në Komunën e Tetovës përmes agjencisë për punësim “Xhob 2011”, ata në disa raste kanë publikuar vetëm të dhëna për kontratat në vepër, shpesh herë pas presionit të opinionit publik dhe mediave. 

Në ndërkohë Komuna e Tetovës mbetet ndër komunat me borxh më të madh, me mbi 9,5 milionë euro.

Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit në të kaluarën ka alarmuar se me punësimet e përkohshme bëhen manipulime. 

Punësimet e përkohshme, vitet e kaluara, janë kritikuar ashpër në raportet e Komisionit Evropian si mundësi për të punësuar ushtarë partiakë në administratën publike. Këto punësime janë kualifikuar si “punësime të qëllimshme, politike dhe arbitrare”. 

Bajram RexhepiBilall KasamiKomisioni për Antikorrupsion RMVKomuna e TetovësNepotizëmPunësime partiakeVideo Lajme