Reshje dhe stuhi në Pollog, ka dëme

Rajoni i Pollogut përsëri pasditen e sotme është përfshirë nga reshjet e dendura të shiut, bubullima dhe stuhi. Ngjashëm si para pak ditëve, edhe këtë herë ka dëme, raporton Portalb.mk.

Stuhia dhe moti i keq, siç informon Qendra për Menaxhim me Kriza ka shkaktuar dëme në rajonin e Tetovës, Gostivarit dhe Kumanovës.

Qendra Rajonale për Menaxhim me Kriza Tetovë njoftoi se në numrin e emergjencës ka pranuar raporte për pasojat e stuhisë në Tetovë.

Gjithashtu QMK njoftoi se rruga lokale në Vicë ësjtë bllokuar, si dhe rruga te Kazerma e qytetit është plot me ujë dhe ka një veturë të bllokuar, gjithashtu ka kanalizime të bllokuara në pjesën e sipërme të qytetit dhe në Reçicë të Madhe.

“QMK ka pranuar paraqitje nga një punonjës i lokalit “Shari”, Lisec (Komuna e Tetovës), i cili ka njoftuar për dëmtime të disa veturave nga stuhia, në parkingun e lokalit. Pritet një inspektim nga shërbimet kompetente”, thanë nga QMK.

Gjithashtu QMK informoi se pas reshjeve të dendura të shiut në rrugën “Ivo Lola Ribar” në Tetovë ka hyrë ujë në disa oborre dhe ka dëme materiale.

Në rrugën “169” në Tetovë ka dalë kanalizimi dhe ka hyrë në oborret e banorëve të kësaj zone dhe rrezikon përmbytjet.

Gjithashtu ka bodrume të përmbytura në rrugën “172” në Tetovë.

Qendra për Menaxhim me Kriza informoi se situata e njëjtë me motin është edhe në Gostivar dhe Kumanovë.

Është marrë informacion në 112 në QKM për bodrume të përmbytura të shtëpive familjare në rr. “172”

Nga Drejtoria për Çështje Hidrometeorologjike kanë njoftuar se masa e paqëndrueshme nga rajoni i Pollogut po i afrohet pjesës perëndimore dhe veriperëndimore të Shkupit.

Kujtojmë që Tetova u përfshi nga reshjet e dendura të shiut edhe të dielën (23 qershor), të njëjtat shkaktuan dëme të mëdha në Tetovë dhe rrethinë, si rrugë të bllokuara, bodrume të përmbytura, u përmbytën edhe bodrumet e Spitalit të Tetovës, vetura me xhama të thyer, pemë të shkatërruara, dëme të mëdha në bujqësi dhe shumë të tjera.

Komuna e Tetovës ka formuar komision ku qytetarët mund t’i paraqesin dëmet nga reshjet. Ata duhet të marrin një kërkesë dhe ta dorëzojnë të plotësuar në arkivin e komunës. Qytetari duhet të paraqesë: fletëpronësinë/prova e pronësisë, fotografi të ndërtesës së dëmtuar, kopje e kartës së identitetit dhe kopje e llogarisë së transaksionit.

Dëmshpërblim për qytetarët që kanë marrë dëmtime premtuan edhe ministri i Bujqësisë Cvetan Tripunovski dhe kryetari i Tetovës Bilall Kasami.

GostivariKumanovaNdryshimet klimatikePërmbytje - VërshimeQendra për Menaxhim me Kriza (QMK) RMVRajoni i PollogutReshje shiuStuhiTetova