Republika Sërpska lobon me miliona në SHBA për pavarësinë e saj

Republika Sërpska ka shpenzuar katër milionë dollarë nga buxheti i saj për të paguar lobistë në Uashington, që të promovojnë pavarësinë e këtij entiteti nga Bosnje dhe Hercegovina, tregojnë të dhënat e Departamentit amerikan të Drejtësisë, të analizuara nga Radio Evropa e Lirë.

Kontrata e fundit me kompaninë izraelito-kanadeze Dickens & Madson është vetëm pjesë e një fushate shumëvjeçare lobimi që autoritetet e Republikës Sërpska zhvillojnë në Shtetet e Bashkuara.

Që nga viti 2015, për këtë qëllim janë shpenzuar të paktën 8.3 milionë dollarë.

Objektivat e lobimit kanë përfshirë, mes tjerash, heqjen e sanksioneve amerikane ndaj ish-presidentit dhe ish-kryeministrit të Republikës Sërpska, Millorad Dodik, si dhe sfidimin e legjitimitetit të përfaqësuesit të lartë ndërkombëtar në Bosnje dhe Hercegovinë, Christian Schmidt.

Shtetet e Bashkuara i hoqën sanksionet ndaj Dodikut dhe bashkëpunëtorëve të tij në vitin 2025, ndërsa Schmidt dha dorëheqje në maj të këtij viti.

Nga rishikimi i buxhetit për vitin 2025, autoritetet e Republikës Sërpska ndanë edhe 54.9 milionë marka konvertibile, apo rreth 28 milionë euro, për aktivitete lobuese.

Këto mjete u miratuan nga shumica qeverisëse në Kuvendin Popullor të Republikës Sërpska, i udhëhequr nga Aleanca e Socialdemokratëve të Pavarur (SNSD) e Millorad Dodikut.

Në anën tjetër, institucionet shtetërore të Bosnje dhe Hercegovinës kanë angazhuar vetëm një herë një kompani lobuese që nga përfundimi i luftës në vitin 1995.

Kjo ka ndodhur vitin e kaluar, kur për dhjetë muaj është kontraktuar një firmë për të mbrojtur integritetin territorial të shtetit.

Ari Ben-Menashe, ish-oficer i inteligjencës ushtarake izraelite dhe themelues i kompanisë Dickens & Madson, refuzoi t’u përgjigjej pyetjeve të Radios Evropa e Lirë nëse pavarësia e Republikës Sërpska mbetet ende objektivi i angazhimit të kompanisë dhe si synon ajo ta promovojë këtë politikë para institucioneve amerikane dhe ndërkombëtare.

“Nuk mund t’u përgjigjemi këtyre pyetjeve për shkak të detyrimeve të konfidencialitetit që rrjedhin nga kontrata”, tha Ben-Menashe në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë.

Pyetjeve nuk iu përgjigjën as Qeveria e Republikës Sërpska, e cila nënshkroi kontratën me Ben-Menashen në shtator të vitit 2025, dhe as Ministria e Punëve të Jashtme e Bosnje dhe Hercegovinës, e cila në fillim të vitit 2025 kishte angazhuar për një periudhë të shkurtër lobistë për të mbrojtur integritetin territorial të Bosnje dhe Hercegovinës dhe interesat që i kundërshtojnë ato të autoriteteve të Republikës Sërpska.

Sipas Kushtetutës dhe ligjeve të Bosnje dhe Hercegovinës, entitetet nuk kanë të drejtë të shkëputen nga shteti, përfshirë edhe organizimin e referendumit për një çështje të tillë, edhe pse autoritetet e Republikës Sërpska e kanë përmendur këtë mundësi disa herë në të kaluarën.

Nëntorin e kaluar, në 30-vjetorin e Marrëveshjes së Dejtonit për Paqe, Shtetet e Bashkuara ritheksuan mbështetjen e tyre për sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnje dhe Hercegovinës, duke thënë se mbeten fuqimisht të përkushtuara për ruajtjen e stabilitetit dhe sigurisë në Bosnje dhe Hercegovinë dhe në gjithë Ballkanin Perëndimor.

Kush lobon për një Republikë Sërpska të pavarur?

Gjatë dhjetë vjetëve të fundit, Qeveria e Republikës Sërpska ka angazhuar gjithsej 15 kompani amerikane lobimi dhe juridike, përfshirë edhe zyrën e saj përfaqësuese në SHBA, të regjistruar për të kryer aktivitete lobuese.

Deri në fund të vitit 2025, këtyre kompanive u janë paguar të paktën 8.3 milionë dollarë, sipas bazës publike FARA (Akti i Regjistrimit të Agjentëve të Huaj) të Departamentit amerikan të Drejtësisë.

Të gjitha kompanitë e angazhuara për lobim ose shërbime juridike kanë lidhje me qarqe politike republikane në Uashington.

Në qendër të vëmendjes është kontrata më e fundit, e nënshkruar më 6 shtator 2025 me kompaninë Dickens & Madson, në vlerë prej katër milionë dollarësh.

Në këtë kontratë thuhet shprehimisht se “pavarësia e Republikës Sërpska nga Bosnje dhe Hercegovina është qëllimi ynë përfundimtar”.

Bosnja e HercegovinaRepublika SërpskaSerbiaShtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA)