REK Manastir do të modernizohet dhe me këtë do të përmirësojë performancën e prodhimit dhe do i reduktojë emetimet e grimcave të dëmshme dhe pluhurit deri në vlera kufitare sipas direktivave dhe legjislacionit evropian, njoftojnë nga Ministria e re e Energjetikës, raporton Meta, përcjell Portalb.mk.
Kapaciteti më i madh për prodhimin e energjisë elektrike në vend punon me qymyr dhe është një nga ndotësit më të mëdhenj të ajrit. Sipas raportit të fundit “Harmonizo ose mbyll“të publikuar nga Bankwatch, ndotja me dioksid të sulfurit nga termocentralet që përdorin qymyr në Bosnje dhe Hercegovinë, Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe Serbi vazhdonte të ishte për 5,7 herë më e lartë se sa vlerat e lejuara, ndërsa oxhaqet e blloqeve 1 dhe 2 të REK Manastiri edhe këtë vit kanë bënin pjesë në mesin e atyre që i kanë tejkaluar vlerat kufitare të lejuara vjetore për emetimet e SO2 për më shumë se 10 herë.
Nga Ministria e Energjetikës thonë se mënyra kryesore për ta reduktuar përdorimin e lëndëve djegëse fosile, në radhë të parë të qymyrit, është ndërtimi i objekteve që përdorin burime të ripërtëritshme të energjisë, me rritjen e masave për efikasitet energjetik dhe me ndërtimin e termocentrale me gaz. Ata thonë se planifikojnë të ndërtojnë dy termocentrale kongjenerative, njëri prej të cilëve do të jetë në Manastir, të ndërtuar në përputhje me standarde rigoroze ekologjike të cilat do të sigurojnë prodhim stabil dhe të vazhdueshëm të energjisë elektrike dhe ngrohjes, ndërsa pikërisht me këtë projekt do të fillojë tranzicioni i këtij kombinati.
“Po e shqyrtojmë edhe mundësinë që me rivitalizimin dhe modernizimin e TEC Negotinës të fitojmë edhe një kapacitet tjetër që do shfrytëzojë gaz për prodhimin e energjisë elektrike, me çka jetëgjatësia e këtij kapaciteti energjetik do të zgjatej për të paktën tre dekada. Me përkushtim ndaj këtij projekti besojmë se në pesë deri në gjashtë vitet e ardhshme do të kemi edhe një kapacitet elektroenergjetik që do ta konfirmojë përkushtimin e Qeverisë për një tranzicion të gjelbër”, theksojnë nga Ministria.
Ata theksojnë se për t’i realizuar këto plane është e nevojshme që të përfundojë ndërtimi i rrjetit të gazsjellësit, për të cilin do të punohet në mënyrë intensive në periudhën e ardhshme. Gjithashtu planifikohen të ndërtohen edhe parqe për prodhimin e energjisë elektrikë me ndihmën e erës Bogdanci dhe Miravci, me çka Maqedonia me kapacitetet e veta të ketë një sistem cilësor energjetik.
Ana Çolloviq-Leshoska, drejtoreshë ekzekutive e Qendrës për Hulumtim dhe Informim për Mjedisin Jetësor “Eko Svest”, është emendimit se vendi duhet të zbatojë masa të shpejta që do të sigurojnë largimin gradual të përdorimit të lëndëve djegëse fosile, përfshirë këtu edhe gazin.
“Qëllimi dhe angazhimet e BE-së janë që të arrihet neutralitet klimatik deri në vitin 2050 dhe janë rezultat i raporteve për gjendjen me klimën të përgatitura nga Paneli Ndërqeveritar i Shkencëtarëve për Ndryshimet Klimatike, sipas modeleve dhe vlerësimeve të të cilit kontinenti evropian po ngrohet dy herë më shumë se sa shkalla botërore. Në një botë me një rritje të temperaturës prej 1,5°C, nëse djegia e lëndëve djegëse fosile vazhdon, Evropa do duhet të përgatitet të jetojë me një klimë që është tre gradë më e ngrohtë. Nëse duam të kemi një klimë të sigurt atëherë duhet të fillojë urgjentisht ndërprerja graduale e përdorimit të lëndëve djegëse fosile, duke përfshirë këtu edhe gazin fosil”, thotë Çolloviq-Leshoska.
Ajo thekson se asnjë tranzicion nuk është i mirë për njerëzit dhe komunitetet nëse ndodh me detyrim dhe me përshpejtim. Nevojitet një proces planifikimi dhe investime për të siguruar një tranzicion me faza të rajoneve ku përdoret qymyri ku komunitetet lokale do jenë një pjesë aktive e zgjidhjeve. Zhvillimi i shpejtë i teknologjive për burimet e ripërtëritshme të energjisë ofron zgjidhje që ndihmojnë drejtpërdrejt në arritjen e qëllimeve klimatike, inkurajojnë zhvillimin ekonomik dhe pavarësinë energjetike, si dhe e përmirësojnë cilësinë e jetës së qytetarëve dhe komuniteteve lokale.
Afati për tranzicionin energjetik nga qymyri fillimisht ishte caktuar për në vitin 2030, por tani është shtyrë për në vitin 2050. Në pjesën më të madhe të vendeve të BE-së ekziston një plan parimor për ta përfunduar transformimin në pjesën më të madhe të Bashkimit deri në vitin 2038. Nga Ministria e Energjetikës thonë se tranzicioni energjetik në Maqedoni ka filluar, por duhet pasur parasysh se ai është kompleks dhe mjaft i kushtueshëm dhe se nevojitet një periudhë e gjatë kohore dhe burime serioze financiare për të ndërtuar objekte të reja në mënyrë që të tranzicioni i gjelbërt të jetë i suksesshëm. Nga atje theksojnë se vendi jonë është i varfër dhe se ka pasur shumë pak investime për energjinë në këto dekadat e fundit.
Nga atje thonë se planifikojnë që t’i kushtojnë më shumë rëndësi efikasitetit energjetik dhe ndërtimit të fotovoltaikëve nëpër shtëpi, kopshte, shkolla dhe objekte të tjera publike dhe të njëjtën ta inkurajojnë edhe në kompanitë.
“Nëse numri i fotovoltaikëve në ndërtesa rritet, atëherë do të ulet në mënyrë drastike edhe konsumimi i energjisë elektrike që duhet të sigurohet nga shteti. Të gjitha vlerësimet tregojnë se masat e efikasitetit energjetik mundësojnë kursime në konsumin e energjisë elektrike për rreth 30%. Ka shumë fonde që ndihmojnë për këtë qëllim, por të cilat nuk shfrytëzohen mjaftueshëm”, thonë nga Ministria.
Sa i përket gazit, nga ky institucion thonë se kjo lëndë djegëse nuk do të zëvendësohet lehtë, sepse me qenë se varen nga natyra, vetëm burimet e ripërtëritshme të energjisë nuk mund të sigurojnë prodhim dhe furnizim stabil me energji elektrike.
“Për një gjë të tillë do nevojitej ndërtim i centraleve bërthamore, të cilat nga ana e tyre mbartin rreziqe të tjera. Në terma afatgjatë, në mbarë botën, ka një ide për përdorimin e hidrogjenit, lënda e parë energjetike më e rëndësishme në të ardhmen. Por derisa teknologjia e re e prodhimit të energjisë elektrike me hidrogjen të fillojë të zbatohet në masë më të madhe, edhe vendet e zhvilluara po i përshtatin termocentralet me qymyr për gaz si lëndë djegëse, theksojnë nga Ministria e Energjetikës.
Ndryshe, sipas kryetares së Gjykatës Supreme, Besa Ademi, e drejta e mjedisit të shëndetshëm jetësor është një e drejtë themelore qytetare dhe njerëzore dhe është e lidhur drejtpërdrejtë me menaxhimin e shëndetit të qytetarëve dhe me detyrime ligjore të nënshkruara për ruajtjen e mjedisit jetësor.
- LEXO: RMV, pa përparim në miratimin e ligjeve të reja që dalin nga kreu për mjedisin jetësor dhe ndryshimet klimatike
- LEXO: Gjykata Supreme: Qytetarët do të mund të paditin shtetin para Gjykatës Administrative për shkak ajrit të ndotur
- LEXO: Ndotësi më i madh i ajrit në Maqedoninë e Veriut, me udhëheqësi të re, por me probleme të vjetra