Recesioni demokratik rajonal dhe global

Demokracia në dy mijë vitet e fundit është konsideruar si kulmi i sistemeve politike. Në këtë rrugëtim, shumica e shteteve e kanë gjetur veten dhe disa e kanë lënë për të zgjedhur mënyra të tjera të qeverisjes. Dihet se disa qeveri u nisën drejt rrugës demokratike me energji dhe ide të mëdha kombëtare, e disa morën rrugën e qeverisjes autoritare.

Në shekullin e 21-të dhe jo vetëm në Ballkan, por edhe në SHBA, me ngjarjet e janarit 2021 dhe atentatin e fundit ndaj kandidatit republikan Donald Trump në Butler të Pensilvanisë, demokracia shënoi një hap prapa dhe një mundësi për armiqtë të arrijnë objektivat ideologjike. SHBA dhe Ballkani, pavarësisht distancës gjeografike kanë disa ngjashmëri në dhunën politike dhe shfrytëzimin e situatës së brendshme për të ardhur në pushtet. Fryma e fortë e demokratëve kundër Trumpit, dhe nga ana tjetër debati i brendshëm republikan për vendosjen kinse të një sistemi socialist në SHBA, solli pikërisht urrejtjen e dyanshme me pasoja për humbjen e prestigjit si lider në demokraci. Dhe jo vetëm kaq, recesioni është vërejtur disa dekada më parë, ndërsa sot po i shohim vetëm pasojat. Ndërsa kur bëhet fjalë për demokracitë e reja në Ballkan, hyrja në sistemin demokratik tre dekada më parë shihej si një garë për më shumë pushtet dhe para, e jo për t’i shërbyer publikut.

Andaj nuk është për tu habitur se pse qytetari ka hasur në pengesa të reja që vijnë jo vetëm nga qeveritë e të ashtuquajtura demokratike, por edhe nga aktorët e jashtëm gjeopolitikë. Qeveritë rajonale të zgjedhura me vota janë larg vendosjes së standardeve demokratike. Disa vende kanë bërë përparime për të arritur atë që BE e ka përcaktuar si demokratike, ndërsa disa çështje të hapura po përpiqen të zgjidhen duke shfrytëzuar të kaluarën historike. Në këtë drejtim, kemi një recesion demokratik duke mos respektuar normat demokratike. Në të vërtetë, demokracitë e vjetra si SHBA-të e deri tek ato të rejat janë nën presion të përhershëm nga regjimet e konsoliduara autoritare globale, presion që ka ndikuar në mënyrën e sjelljes së liderëve dhe funksionimin e shteteve në hapësirën demokratike. Është e qartë se në këtë garë midis demokracive të konsoliduara, atyre të brishta, dhe botës autokratike, fuqia globale e demokracive me ekonomi të industrializuara po zbehet nga fuqia ekonomike e shteteve të Azisë Juglindore që kanë ndikim të madh global. Dhe sipas të gjitha gjasave, ky grup i shteteve mundohet të sundojë shekullin e 21-të.

Përveç kësaj tendence globale që nuk mund të parandalohet, shoqëritë demokratike, të zhvilluara dhe të brishta, po kërcënohen nga ekstremizmi politik, duke filluar me SHBA-të, BE-në, madje edhe në Ballkanin, ku ky ekstremizëm politik është i ndërthurur me urrejtje dhe paragjykime etnike dhe fetare. Në vendet e Evropës Lindore dhe të Ballkanit, në raste të tilla kemi kufizime të lirisë së shtypit, të drejtave të qytetarëve, të emigrantëve, të refugjatëve etj. Në një mjedis të tillë, kërcënohen të drejtat elementare dhe demokracia sigurisht se bëhet jofunksionale.

Nëse idealet demokratike nuk mund të mbrohen nga shtetet më të forta demokratike, atëherë çfarë mund të presim nga shtetet që flasin shumë për demokracinë, ndërsa nga ana tjetër mbështesin sjelljen autoritare të qeverive? Stabiliteti demokratik nga SHBA-ja, BE-ja, përfshirë dhe Ballkanin nuk mund të arrihet, nëse demokracitë e reja ose të brishta zhyten në borxhe nga qeveritë si ajo kineze ose nga shtetet kundërshtare të demokracisë. Kur shtetet janë në borxhe të jashtme, në të njëjtën kohë rreziku i marrjes të një modeli tjetër është i madh, ose shkurt shanset janë të mëdha që ai shtet të bëhet pjesë e një politike të shtetit nga ka marrë borxh, si p.sh. çështja midis Malit të Zi dhe Kinës për borxhin është ende i freskët.

Kemi raste të tjera që borxhet e jashtme kthehen negativshit në politikat e brendshme me ndikim në uljen e besimit të qytetarëve në sistemin demokratik, madje edhe në rritjen e besimit në sistemet autoritare. Në betejën e këtij shekulli, synimi është që modeli demokratik të rënohet, ndërkohë të fitojë një model më i fortë i bazuar në një sistem të centralizuar.

Sipas raporteve ndërkombëtare, gjatë vitit 2024, vendet demokratike vazhdojnë të rrezikohen, pasi “tendencat autoritare të shteteve kërkojnë të lënë gjurmë në zgjedhje dhe lëvizjet populliste po sfidojnë hapur institucionet e vendosura (rasti në BE dhe në Ballkan). Megjithatë, zgjedhjet e përfunduara në BE, në SHBA që do të mbahen më 5 nëntor dhe në vende të tjera, kanë një probabilitet të lartë për të rikthyer demokracinë si një sistem qeverisjeje në avantazh ose në disavantazh për kundërshtarët.

Në 1975 në Spanjë, zgjedhjet e organizuara sollën një sistem të lirë, po ashtu në Greqinë e vitit 1974 e njëjta gjë ndodhi. Por, nuk duhet të harrojmë se gjërat pas Luftës së Ftohtë nuk janë njësoj. Rusia ka arritur të sjellë një erë lufte në Evropë. Humbja e Perëndimit në Ukrainë do të ishte disfata e demokracisë dhe fitorja e autoritarizmit. Aktualisht, peizazhi demokratik nuk është aspak i qëndrueshëm. Lajmet nga SHBA-të që tregojnë nxitje për dhunë politike përpara zgjedhjeve të nëntorit, janë shenja të mira për regjimet autoritare që mezi presin që SHBA të dobësohet më tej në rolin e saj demokratik global.

Organizatat dhe individët që janë në shërbim të regjimeve jodemokratike, punojnë për të rritur pakënaqësitë në SHBA, BE, Ballkan e gjetkë, me synimin që tranzicioni demokratik të mos përfundojë kurrë. Kundërshtarët dëshirojnë që kombet të ulin mbështetjen për liberalizmin, dhe të rrisin dëshirën për qeverisje autoritare.

Në këtë kohë kundërshtimesh midis bllokut perëndimor, vendeve aziatike dhe vendeve të izoluara, qeveritë do të përballen me forca për të përmbysur sistemet qeverisëse qofshin të hapura ose të mbyllura. Lufta për mbijetesë është hapur. Disa veprime kanë filluar më herët me rritjen e jotolerancës midis popujve në kontinentin evropian, dezinformimin, politikat ekonomike të bazuara në dallimet etnike etj etj. Për të parandaluar këtë fushatë përçarëse, shtetet e bllokut demokratik mund të ndërmarrin disa veprime në arsim dhe zbulime në disa fusha kyçe për të mbrojtur kombet nga kërcënimet e shteteve autokrate.

Pavarësisht rënies demokratike, lufta për të ruajtur demokracinë në këtë kohë nuk duhet të përfundojë. Me një angazhim më elastik dhe më të vendosur të shteteve, demokracia si sistem politik mund të mbijetojë në këtë shekull, por me shumë vështirësi për arsyet e lartpërmendura. Përgjithësisht besohet se demokracia përfaqësuese është mënyra më mirë për të qeverisur vendet.

Por një studim i zhvilluar po në SHBA nga Qendra Kërkimore “Pew” vërtetoi se “shumë qytetarë janë të pakënaqur me mënyrën se si funksionon demokracia”. Në disa shtete demokratike si në SHBA ku pabarazia klasore dhe racore janë të thella, pakënaqësia po rritet. Dhe këtu ndoshta janë disa nga problemet me të cilat SHBA ballafaqohet e që shkojnë deri te shpenzimet e pakontrolluara globale të qeverisë federale.

Megjithatë, çdo vend demokratik i ka karakteristikat e veta që e dallojnë nga vendet tjera qofshin në Evropë apo gjetiu. Andaj demokracia funksionon sipas specifikave kombëtare dhe më pas globale. Në këtë rrugë të gjatë, padyshim do të ketë ulje-ngritje me konkurrencë nga regjimet autoritare, për të gjunjëzuar botën demokratike. Do të varret nga vetë blloku liberal nëse do të vazhdojë garën kundër shteteve autoritare me ekonomi të fortë globale.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Kolumnat e PortalbitSelim Ibraimi