Raporti në hije për Kapitullin 27: Mjedisi jetësor ka ngecur në vend në vitin 2024 dhe në vitin 2025

Reformat stagnojnë, ligjet kyçe mbeten të bllokuara, ndërsa gjendja me ajrin, ujërat, natyrën dhe mbeturinat mbetet kritike, tregon kështu Raporti i katërt në hije për Kapitullin 27 i koalicionit të organizatave civile “Platforma 27”, i cili i referohet viteve 2024 dhe 2025, transmeton Portalb.mk.

Sipas raportit që u promovua dje, nga cikli i fundit në vitin 2023 deri në fund të vitit 2025 nuk është arritur asnjë përparim thelbësor në asnjë nga fushat e shqyrtuara, me përjashtim të miratimit të Ligjit për Kontrollin e Emetimeve Industriale në vitin 2025. Ky ligj paraqet një hap të rëndësishëm drejt zbatimit të parimit evropian “ndotësi paguan”, por nuk është i mjaftueshëm për adresimin sistemik të ndotjes.

Në të njëjtën kohë ligjet kyçe për ujërat, për natyrën, për veprimin klimatik, të cilat duhet ta harmonizojnë legjislacionin vendas me atë evropian, si dhe ligjet për shpalljen e zonave të reja të mbrojtura – mbeten në procedurë tashmë për disa vite pa një përfundim. Disa prej tyre janë publikuar në Regjistrin Kombëtar të Vetëm Elektronik të Rregulloreve (ENER), por ende presin miratimin, shumë shpesh pa u ditur arsyeja e shtyrjes së tyre.

“Fakti që dokumentet dhe ligjet strategjike të përgatitura para disa vitesh ende janë të pamiratuara, flet për një ngecje serioze institucionale. Pa një legjislacion funksional nuk mund të ketë mbrojtje reale të mjedisit jetësor,” thuhet në raport.

Ajri dhe mbeturinat mbeten sfidat më të mëdha

Një nga problemet më alarmante, ndotja e ajrit, vazhdon të jetë shumë më e lartë se vlerat kufitare Evropë. Edhe krahas investimeve milionëshe për përmirësimin e cilësisë së ajrit, të dhënat tregojnë se përqendrimet e grimcave PM10 dhe PM2.5 vazhdojnë të jenë mbi vlerat kufitare në pjesën më të madhe të vitit. Direktiva e re e BE-së vendos standarde edhe më të rrepta – kufiri vjetor për PM10 zvogëlohet në 20 mikrogramë për metër kub, vlera që vendi as përafërsisht nuk i përmbush. Në përgatitje e sipër është një ligj i ri për cilësinë e ajrit ambiental, por miratimi i tij pritet tek në vitin 2026.

Deponitë jostandarde dhe zgjidhjet infrastrukturore të pamjaftueshme për trajtimin e mbeturinave janë ndër çështjet më të nxehta me të cilat përballet shteti, ndërsa shembulli i Shkupit dhe mbytja e tij me mbeturina për vetëm disa ditë për shkak të ndërmarrjeve publike jofunksionale vetëm e thekson sa të nevojshme janë masat emergjente. Sistemet rajonale për menaxhimin e mbeturinave përparojnë ekskluzivisht në nivel administrativ, ndërsa në praktikë mbeturinat ende hidhen në deponi jostandarde, selektimi dhe riciklimi janë minimalë, ndërsa parandalimi i mbeturinave nuk është në funksion.

Edhe pse projektet për qendrat rajonale po lëvizin, nuk ka përparim real që do të çonte në mbylljen e shpejtë të deponive ekzistuese ilegale dhe joadekuate.

Viteve të fundit nuk ka pasur përparim të madh në mbrojtjen dhe pastrimin e ujërave dhe mbrojtjen e natyrës

Gjendja nuk është shumë më ndryshe as me mbrojtjen dhe trajtimin e ujërave. Pothuajse 70 përqind e ujërave të ndotura shkarkohen të patrajtuara, nga të cilat 15 përqind janë nga zonat urbane. Raporti thekson se edhe pse një pjesë e komunave investojnë në infrastrukturën e kanalizimeve, në periudhën e analizuar nuk është ndërtuar asnjë stacion i ri për pastrim, që do të thotë se ujërat e ndotura edhe më tej përfundojnë në rrjedhat ujore pa u trajtuar. Është ndërtuar një stacion i ri për pastrimin e ujërave të ndotura për Dojranin e Ri, i cili do t’i trajtojë ujërat që do të shkarkohen në Liqenin e Dojranit.

Edhe krahas aktiviteteve të shoqërisë civile dhe nismave të vetëqeverisjeve lokale, në vitin 2024 dhe në vitin 2025 shteti nuk shpalli asnjë zonë të re të mbrojtur. Proceset për Bellçishko Bllaton, Sudençishko Bllaton, Kozhufin, madje edhe ri-shpallja e Parkut Kombëtar Mavrovë mbeten të pambaruar. Në ndërkohë zonat ekzistuese të mbrojtura përballen me strukturë menaxhuese të pamjaftueshme, buxhete të pamjaftueshme dhe interesa konfliktuoze të pazgjidhura.

Sa i përket mbikëqyrjes inspektuese, mungon kuadri, prandaj edhe kontrolli ka efekt të kufizuar. Edhe pse ISHMJ (Inspektorati Shtetëror i Mjedisit Jetësor) sërish u bë organ në kuadër të MMJPH (Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor), institucioni përballet me mungesë të inspektorëve, volum të madh të punës, parregullsi që jo gjithmonë rezultojnë me sanksione, për shkak të të cilave mbeten të pandëshkuara krime të shumta ekologjike.

Vendi mbetet edhe pa ligjin për veprimin klimatik, i cili është qenësor për zbatimin e detyrimeve klimatike ndaj BE-së. Teksti ligjor është përgatitur që në vitin 2023, por procesi ka ngecur.

“Periudha 2024–2025 është periudhë e përparimit në vend. Shteti nuk bën hapa të rëndësishëm drejt përmbushjes së standardeve evropiane në mjedisin jetësor, ndërsa pasojat i ndjejnë qytetarët, natyra dhe sistemi shëndetësor,” thotë Bojana Stanojevska Pecurovska nga Qendra për Ndryshimet Klimatike.

Organizatat civile që punuan në këtë raport – Qendra për Ndryshimet Klimatike, Eko Svest, Shoqata Ekologjike e Maqedonisë dhe Milieukontakt Maqedoni – i bëjnë thirrje Qeverisë, Kuvendit dhe institucioneve kompetente që t’i miratojnë urgjentisht ligjet e bllokuara nga Kapitulli 27, të sigurojnë kapacitete institucionale dhe administrative funksionale, ta përforcojnë transparencën dhe pjesëmarrjen e publikut në krijimin e politikave, të investojnë në infrastruktura kyçe si stacionet për trajtimin e ujërave të ndotura, qendrat rajonale për menaxhimin e mbeturinave dhe sistemet e monitorimit dhe të sigurojnë financim të qëndrueshëm për sektorin e mjedisit jetësor.

Raporti i fundit fokusohet në shtatë fusha kyçe: legjislacion horizontal, cilësinë e ajrit, ujërat, menaxhimin me mbeturinat, ndotjen industriale dhe menaxhimin e rrezikut, mbrojtjen e natyrës dhe ndryshimet klimatike. Analiza përfshin harmonizimin e legjislacionit, shkallën e zbatimit, kapacitetet administrative dhe mbështetjen buxhetore, si dhe sfidat që e ngecin procesin.

Raporti është përgatitur në kuadër të projektit “Partneriteti rajonal për zbatim më të mirë të Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor në nivel lokal”, i zbatuar nga Qendra për Ndryshimet Klimatike në bashkëpunim me organizatat partnere. Projekti mbështetet nga Qeveria e Zvicrës përmes programit Civica Mobilitas.