Raporti i QKC: Ka korrupsion në prokurimet publike që është pasojë e interesave politike, ka dallime të mëdha në çmime

Qendra për Komunikim Civile ka publikuar sot Raportin nga monitorimi i rregullt i prokurimeve publike, i cili përfshin anketa me kompani dhe përfaqësues të institucioneve shtetërore, indeksi i racionalitetit, ku krahasohen çmimet me të cilat institucione të ndryshme prokuruan saktësisht të njëjtat produkte apo shërbime, dhe analizë dhe bazë të dhënash për prokurimet publike të komunave për vitin 2023, transmeton Portalb.mk.

Gjetjet kryesore të këtyre anketave siç raportohet nga qendra tregojnë se prokurimi publik në vitin 2023 arriti vlerë rekord të lartë dhe konkurrencë të ulët rekord në 10 vitet e fundit. Janë lidhur kontrata për prokurim publik në vlerë totale prej 1.5 miliardë euro, që është 35% më shumë se një vit më parë.

Sipas monitorimit të prokurimit publik, numri mesatar i ofertave për tender ishte 2.7. Në një të tretën e tenderëve është marrë vetëm një ofertë. Mungesa e konkurrencës është pasojë e favorizimit të dokumenteve të tenderit dhe humbjes së besimit të sektorit të biznesit në konkurrencën e drejtë të prokurimit.

“41% e personave të prokurimit publik pranë institucioneve shtetërore besojnë se shpesh ka korrupsion në prokurim. Shumica prej tyre thonë se korrupsioni është më i përhapuri si rezultat i interesave politike dhe se kompanitë janë gjenerues më i madh i korrupsionit sesa njerëzit në institucione”, tregon Raporti.

Sipas Raportit, 51% e kompanive që marrin pjesë në prokurimet publike besojnë se ka korrupsion në prokurime dhe 23% e kompanive të përfshira në hulumtim janë përballur personalisht me të.

Indeksi i racionalitetit zbuloi diferenca të mëdha në çmimet me të cilat institucionet blejnë të njëjtat produkte dhe shërbime. Kështu, për shembull, të njëjtat licenca për softuer kompjuterik blihen me çmime nga 6.185 deri në 23.100 denarë.

Baza e të dhënave e prokurimeve publike komunale zbuloi se në vitin 2023, komunat kanë shpenzuar 40% më shumë para për prokurim se vitin e kaluar dhe se vetëm dhjetë kompani kanë marrë 25% të vlerës së të gjithë tenderëve.

Keqpërdorim tenderiKorrupsion - RyshfetOJQ Qendra për Komunikime Civile (QKC)Prokurime (furnizime) publike - tenderë