Raporti i KE-së për Kosovën: Progres i limituar në luftimin e korrupsionit

Luftimi i korrupsionit, funksionimi i gjyqësorit, ai i legjislativit, janë vetëm disa nga fushat, në të cilat Kosova është kritikuar në raport për këtë vit. Në këtë dokument është identifikuar edhe mungesa e bashkëpunimit ndërpartiak, jo vetëm për miratimin e legjislacionit të Kosovës, por edhe në realizimin e reformave të BE-së, raporton Koha.net.

Komisioni Evropian ka publikuar raportet vjetore të progresit për vendet që synojnë anëtarësimin në BE.

Në dokumentin për Kosovën thuhet se Kosova ka bërë progres të kufizuar në luftimin e korrupsionit.

Megjithëkëtë, sipas këtij dokumenti, ka pasur përparim në gjykimin e rasteve të korrupsionit, që ka rezultuar në numër më të madh të vendimeve gjyqësore të formës së prerë.

“Megjithatë, rezultatet ndikohen nga mungesa e burimeve dhe kapaciteteve dhe nga mungesa e paanshmërisë dhe llogaridhënies në prokurori dhe gjyqësor. Përkushtim më i fortë në krijimin e një historie solide në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë mbetet i nevojshëm, duke përfshirë forcimin e përdorimit të mjeteve kundër korrupsionit si deklarimin e aseteve dhe planet për integritetin e institucioneve publike”, thuhet në Raportin e Progresit.

Sipas këtij raporti, rekomandimet e Komisionit nga viti i kaluar janë zbatuar pjesërisht.

Sipas KE-së, Kosova gjatë vitit të ardhshëm në veçanti duhet të forcojë kapacitetet e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, të zbatojë legjislacionin ekzistues kundër korrupsionit e të miratojë një strategji kombëtare dhe plan të veprimit kundër korrupsionit.

Po ashtu është kërkuar që të forcohet cilësia e hetimeve në rastet e korrupsionit të nivelit të lartë.

Progres i kufizuar është identifikuar edhe në funksionimin e gjyqësorit.

Sipas raportit të Komisionit Evropian, vonesat dhe vështirësitë për të hartuar reformat në drejtësi tregojnë për një përsëritje të mungesës së vullnetit për të forcuar sistemin e drejtësisë.

“Konsultimet për këto reforma dhe në ndryshimi i ligjit për Këshillin  Prokurorial të Kosovës ishin të nxituara dhe nuk siguruan një rishikim kuptimplotë. Pavarësisht këshillave të forta të BE-së, Komisioni i Venecias nuk u konsultua nga Qeveria dhe Kuvendi për ndryshimet përfundimtare në ligjin për KPK-në dhe për reformat e tjera kyçe. Kjo ndikoi negativisht në cilësinë e legjislacionit dhe përafrimin e tij me standardet evropiane”, u tha në Raport.

Disa përparime janë identifikuar në fushën e drejtësisë, lirisë e sigurisë. Në raport është lavdëruar reagimi ndaj sulmit të 24 shtatorit në Banjskë, ku thuhet se Policia e Kosovës ka treguar nivel të lartë të profesionalizmit.

Mes tjerash, në raport është kritikuar funksionimi i Kuvendit, për të cilin është thënë se ka një sërë sfidash në ushtrimin e kompetencave të tij.

Si pengesë për miratimin e legjislacionit janë identifikuar edhe mosmarrëveshjet e mungesa e bashkëpunimit mes mazhorancës dhe partive opozitare.

Mungesë e bashkëpunimit ndërpartiak është identifikuar edhe sa i përket realizimit të reformave të BE-së në mënyrë më efektive.

Kosova është vlerësuar se ka bërë përparim të kufizuar edhe sa i përket forcimit të kapaciteteve të saj në përballje me presionin konkurrues dhe forcave të tregut në BE.

Është kërkuar që të harmonizojë arsimin me nevojat e tregut të punës. Kërkesë tjetër ishte edhe që të mos ndërmarrë masa të njëanshme tregtare pa arsyetime, pa u konsultuar paraprakisht me Komisionin.

Albin KurtiKomisioni Evropian (KE)KosovaQeveria e Kosovës