Një anketë e re e Eurobarometrit zbulon se 72% e qytetarëve maqedonas besojnë se viruset janë krijuar artificialisht në laboratorë për kontrollin e popullsisë – një normë drastikisht më e lartë se mesatarja e BE-së. Është e habitshme që opinione të tilla ekzistojnë pavarësisht besimit në rritje të publikut në përfitimet e shkencës dhe teknologjisë, shkruan Vërtetmatësi.
Shkruan: Matej Troyachanec
Më shumë se 8 nga 10 qytetarë besojnë se ndikimi i përgjithshëm i shkencës dhe teknologjisë është pozitiv. Dhe, dy të tretat e të anketuarve (67%) pajtohen po aq shumë se shkenca dhe teknologjia e bëjnë jetën tonë më të lehtë, më të shëndetshme dhe më të rehatshme. Këto janë vetëm disa nga të dhënat nga publikmi i fundit i anketës së Eurobarometrit mbi “njohuritë dhe qëndrimet e qytetarëve evropianë ndaj shkencës dhe teknologjisë”.
Ky studim është zhvilluar pothuajse në gjithë Evropën dhe vlerëson njohuritë dhe mendimet e publikut mbi shkencën dhe teknologjinë. Të dhënat janë mbledhur midis shtatorit dhe tetorit 2024, dhe më shumë se 34 mijë persona nga 27 vendet anëtare të BE-së morën pjesë në studim, përfshirë edhe të anketuar nga Maqedonia e Veriut dhe Ballkani, Mbretëria e Bashkuar dhe Turqia.
Disa nga të dhënat nga ky hulumtim u gjetën edhe në rrjetet sociale maqedonase (këtu dhe këtu):
Duhet theksuar se, ndonëse rezultatet e paraqitura në foto janë të sakta, vetë hulumtimi nuk thotë se “Qeveria po e fsheh kurën për kancerin”, por përkundrazi se “kura për kancerin ekziston, por fshihet nga publiku për shkak të interesave komerciale”.
Sidoqoftë, disa nga të dhënat në lidhje me njohuritë dhe qëndrimet e qytetarëve maqedonas janë shqetësuese. Është interesante që qytetarët maqedonas kanë shkallën më të lartë të dakordësisë, ose besimit, në këtë pohim, krahasuar me të gjithë qytetarët e tjerë në rajon:
Miti i qëndrueshëm se ekziston një kurë për kancerin duket të vijë në mënyrë të natyrshme, duke pasur parasysh se janë shpenzuar miliarda për gjetjen e saj, por kura ende nuk është gjetur. Megjithatë, siç shkruajnë nga Worldwide Cancer Research:
Kanceri është një emër për një grup prej mbi 200 sëmundjesh të ndryshme. Llojet e kancerit ndryshojnë ndjeshëm në shkaqet dhe mënyrën si rriten dhe përhapen – vetë kompleksiteti i kancerit e bën shumë të pamundur gjetjen e një kure të vetme.
Ndoshta nuk do të gjejmë një kurë të vetme, por tashmë kemi mjete dhe trajtime për të shëruar shumë njerëz. Shkalla e mbijetesës nga kanceri është dyfishuar gjatë 40 viteve të fundit dhe vazhdon të përmirësohet.
Në mënyrë të ngjashme, kur u pyetën nëse besojnë se thënia “Viruset prodhohen në laboratorët qeveritarë për të kontrolluar lirinë tonë” është e vërtetë apo e gabuar, 72 përqind e qytetarëve besojnë se është e vërtetë. Në krahasim me vetëm 21 përqind që mendojnë se nuk është e vërtetë dhe 7 përqind që nuk e dinë. Edhe një herë, bashkëqytetarët tanë kanë shkallën më të lartë të dakordësisë krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit:
Është e padiskutueshme se ekzistojnë biolaboratorë që ruajnë ose kryejnë eksperimente me viruse dhe infeksione me rrezik të lartë. I tillë është edhe rasti me laboratorin në Wuhan, i cili edhe sot e kësaj dite përmendet si burimi “definitiv” i koronavirusit dhe pandemisë së COVID-19. Megjithatë, ekzistenca e këtyre laboratorëve (të cilët zakonisht janë në pronësi shtetërore) dhe viruset e infeksionet me të cilat ata punojnë, nuk do të thotë se të drejtat e dikujt janë marrë ose se jemi privuar nga liria. Përkundrazi, siç pamë edhe pas shpalljes zyrtare të pandemisë, disa shtete ndoqën një qasje laissez-faire, ku në kurriz të shëndetit publik hoqën shumë herët kufizimet për mbajtjen e maskave dhe distancimin social. Me fjalë të tjera, ua kthyen “liritë” qytetarëve, duke u justifikuar me idenë se do të arrihej imuniteti i tufës, ndërsa rrezikonin infeksione të reja dhe qarkullim më të gjatë të virusit.
Nga ana tjetër, disa nga të dhënat janë më inkurajuese. Për shembull, në pyetjen “nëse qeniet njerëzore, siç i njohim sot, janë zhvilluar nga specie të mëparshme të kafshëve”, 59 për qind e të anketuarve besojnë se kjo është e vërtetë, kundrejt 37 për qind që mendojnë se nuk është e vërtetë.
Teoria e evolucionit është një nga teoritë më universale dhe më të hulumtuara, dhe shkenca deri më sot e konfirmon atë si të saktë.
Rezultate të ngjashme u shënuan edhe në pyetjen “Ndryshimet klimatike kryesisht shkaktohen nga ciklet natyrore dhe jo nga aktivitetet njerëzore”, ku 52 për qind nuk pajtohen, pra mendojnë se ndryshimet klimatike shkaktohen nga veprimtaria njerëzore. Ndërsa 45 për qind pajtohen se ndryshimet klimatike janë pjesë e cikleve natyrore të planetit.
Burimet më të cituara të informacionit ose informacionet rreth risive në shkencë dhe teknologji janë televizioni (65 përqind) dhe interneti, pra rrjetet sociale dhe blogjet (49 përqind), p.sh. faqet e internetit të videove si YouTube.
Ndoshta të dhënat më inkurajuese, megjithatë, janë se shumica dërrmuese e të anketuarve (81 përqind) besojnë se ndikimi i përgjithshëm i shkencës dhe teknologjisë në shoqëri është pozitiv.