Qeveria e RMV-së i pranoi tre emrat e propozuara për në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut

Tre emrat e propozuar nga Ministria për Punë të Jashtme dhe Tregti të Jashtme u miratuan nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut. Këto emra do të vazhdojnë procedurat për pozitën e gjyqtarit në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, transmeton Portalb.mk.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme prezantoi Informacionin mbi aktivitetet e realizuara, në përputhje me njoftimin e dorëzuar nga Komisioni për përzgjedhjen e kandidatëve për gjyqtar në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, me të cilin informohet për propozimin e Komisionit për përzgjedhjen e tre kandidatëve: Jordan Apostollski, Natasha Boshkova dhe Sasho Georgievski”, raportoi Qeveria.

Këto emra u miratuan sot në seancën e 141-të të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, ndërsa mendim duhet të jep edhe Paneli Ndërkombëtar Këshillëdhënës i Ekspertëve pranë Këshillit të Evropës.

“Pas marrjes së mendimit nga Paneli Ndërkombëtar Këshillëdhënës, Komisioni do t’ia dorëzojë Qeverisë listën me tre kandidatët, pas çka lista përfundimtare do t’i përcillet Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës”, sqaroi Qeveria.

Në Gazetën Zyrtare më 14 prill u publikua shpallja për përzgjedhjen e kandidatëve nga Republika e Maqedonisë së Veriut për pozitën e gjyqtarit në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ) në Strasburg.

Mandati nëntëvjeçar i gjyqtarit aktual të Maqedonisë së Veriut në GJEDNJ, Jovan Ilievski, do të përfundojë në shkurt të vitit 2026.

Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ) StrasburgGjykatës(e) - Gjykim - GjyqësorKëshilli i Evropës (KiE)Qeveria e Maqedonisë së Veriut