Qeveria e re nuk ia ka “haberin” investimit italian në Kodrën e Diellit, qendra e lënë në mëshirë të fatit

Investimi milionësh nga italianët në Kodrën e Diellit nuk arriti të sheh dritë gjatë qeverisë paraprake të vendit pavarësisht se u promovua me shumë pompozitet. Nga ana tjetër, qeveria e re “nuk e di” se ku ka mbetur ky proces dhe si do të vijojë i njëjti, për shkak se ende janë duke u organizuar nëpër detyra, shkruan Portalb.mk.

Projekti për qendrën turistike Kodra e Diellit u prezantua para një viti e gjysmë, megjithatë negociatat nuk arritën të finalizohen gjatë përbërjes së kaluar qeveritare.

Me çka, kjo detyrë i ngeli qeverisë së re e cila u formua më 23 qershor 2024.

Deputeti i Kuvendit të RMV-së nga LSDM-ja dhe ish kryetar i Komisionit për Investime Strategjike në përbërjen e kaluar qeveritare, Fatmir Bytyqi për Portalb.mk theksoi se projekti nuk arriti finalizohet para zgjedhjeve.

“Negociatat nuk arritën të finalizohen para se të shpallen zgjedhjet. Prandaj nuk vazhdoi. Të gjitha dokumentet janë në Qeveri. Nuk është anuluar, nuk ka vendim të tillë. Nëse vazhdojnë negociatat varret nga Qeveria e re”, tha Bytyqi.

Koordinator i këtij projekti siç na informoi Bytyqi ka qenë ish ministri i Financave, Fatmir Besimi.

Për këtë kërkuam informacion në Ministrinë e Financave, nga atje na njoftuan se sektori përkatës është njoftuar në lidhje me këtë çështje, por përgjigje deri në publikimin e këtij artikulli nuk morëm.

Nga Qeveria e RMV-së shkurt na njoftuan se do të kërkojnë informacion për këtë rast, pasi tani ka ndryshuar udhëheqësia dhe ende janë duke u organizuar, megjithatë deri në publikim nuk morëm ndonjë përgjigje nga Qeveria.

Të reja nuk ka as nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMJPH).

“Marrë parasysh se ka qeveri të qe, ende organizohen, nuk kemi diçka të re për të ju thënë”, thanë nga MMJPH.

Për këtë çështje pyetëm edhe ministrin e ri të Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishin i cili vjen nga Tetova, por as ai nuk kishte informacion.

“Do të interesohem dhe do e shoh pasi që nuk e kam informatën se deri ku ka ngelur”, tha Besar Durmishi.

Ai tha se me planin e ri urbanistik që do të kalojë në Komunën e Tetovës dukshëm do të zhvillohet edhe Kodra e Diellit pasi aty do të ketë edhe hapsria për investime te bizneseve me çka do të mundësohet edhe hapja e vendeve të reja të punës.

Në lidhje me këtë projekt të rezervuar janë edhe kompania italiane “TechnoAlpin”.

“Nuk jemi ende në gjendje të zbulojmë detaje apo të ju përgjigjemi pyetjeve tuaja. Nuk mundemi ende të japim parashikime rreth procesit që po vijon”, thanë nga TechnoAlpin.

TechnoAlpin” në dhjetor 2022 e prezantoi planin e tyre për zhvillimin e kësaj qendre turistike. Investimi është paraparë të realizohet në shtatë faza dhe kap vlerën e rreth 180 milionë eurove.

Në lidhje me këtë projekt autoritetet kanë premtuar shumë, megjithatë negociatat ende nuk kanë marrë epilog dhe nuk është arritur të nënshkruhet marrëveshja.

Kodra e Diellit për vite me radhë është lënë pas dore duke mos u investuar në të. Ndër problemet më të mëdha janë kaosi urbanistik, mungesa e parkingjeve, menaxhimi jo i mirë me mbeturinat, ndërtimet pa leje dhe shumë të tjera.

Besar DurmishiFatmir BytyqiKodra e DiellitMinistria e Ekonomisë dhe Punës (MEP)Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor (MMJPH)Qeveria e Maqedonisë së VeriutTechnoAlpin