Në kuadër të seancës së 97-të, Qeveria e Maqedonisë së Veriut vendosi që deri më 15 shtator të ndryshojnë tabelat e veturave zyrtare, transmeton Portalb.mk.
“Në mbledhjen e saj të 97-të të mbajtur sot, mori vendim që të gjitha institucionet shtetërore t’i ndryshojnë targat e automjeteve zyrtare me targat e reja me ngjyrë, më së voni deri më 15 shtator 2025”, raportoi Qeveria e Maqedonisë së Veriut.
Qeveria vlerësoi që përmes këtij vendimi do të rritet llogaridhënia, transparenca, duke e ulur abuzimin me veturat zyrtare.
Ndryshe, shoferët e zëvendëskryeministrave, Izet Mexhiti dhe Arben Fetait, do të gjobiten për shkak keqpërdorimit të veturave zyrtare.
Kujtojmë se plotë 826 institucione nuk i kishin dorëzuar të dhëna për automjetet zyrtare në Komisionit Shtetëror Kundër Korrupsionit, tregoi raporti special i Antikorrupsionit.