Qeveria vendosi të kufizojë marzhat në tregtinë me pakicë për 10 përqind dhe me të njëjtën përqindje në tregtinë me shumicë. Kufizimi i marzhës do të zgjasë deri më 30 prill. Do të përfshihen produktet ushqimore bazë, detergjentet dhe ushqimi për fëmijë, raporton MIA.
Zëdhënësja e Qeverisë Marija Miteva pasdite në konferencë për media tha se një vendim i tillë është marrë në bazë të raportit të Inspektoratit Shtetëror të Tregut, i cili tregon se shitësit me pakicë kanë mbi 20 për qind marzh tek produktet ushqimore bazë dhe mbi 30 përqind marzha në produktet e higjienës personale. Tek importuesit dhe distributorët janë vendosur marzhe më të larta, të cilat shkojnë madje edhe deri 50 për qind.
“Qeveria e ngarkoi Ministrinë e Ekonomisë që të propozojë masën e ardhshme, Vendim për kufizimin e marzhës me 10 për qind në tregtinë me pakicë dhe 10 për qind në tregtinë me shumicë për produktet ushqimore bazë, të njëjtat 73 grupe produktesh që ishin në shportat e mëparshme, por, e njëjta të plotësohet edhe me produkte higjienike, si detergjentet, si dhe me ushqim për foshnja dhe produkte të tjera jo ushqimore, për të cilat është vërejtur një marzhë shumë e lartë, ndërsa janë pjesë e nevojave bazë të qytetarëve. Presim që të përfshihen mbi 100 grupe produktesh” tha Miteva.
Qeveria u rekomandon të gjitha marketeve të fillojnë procedurën për publikimin transparent të çmimeve të të gjitha produkteve dhe përditësimin e tyre në baza ditore.
Në seancën e sotme të Qeverisë është miratuar edhe Programi për mbrojtjen e konsumatorëve të cenueshëm të energjisë, të cilin e udhëheqin personat të cilët i plotësojnë kushtet që në afat të kenë ulje të faturës së energjisë elektrike për energjinë e shfrytëzuar për një mijë denarë në afat prej 12 muajsh.
Ndryshe, VMRO- DPMNE dhe LSDM janë përplasur përmes njoftimeve në media se cila parti ka investuar më shumë të holla në rrjete sociale për t’u promovuar, në kohë kur qytetarët e thjeshtë e kanë problem esencial ta mbushin shportën elementare për mbijetesë. Qytetarët për këtë arsye kanë filluar fushatën për bojkotimin e marketeve.
Në Republikën e Maqedonisë së Veriut çmimet e produkteve bazë janë në rritje e sipër. Ditë më pare nga Lidhja e Sindikatave në RMV porositën qeverinë se duhet të ndikojë te tregtarët që të ulin çmimet në vend. Në Maqedoninë e Veriut është regjistruar rritje e çmimeve të produkteve bujqësore në dhjetor të vitit 2024, krahasuar me dhjetorin e vitit paraprak.
- LEXO: Partitë akuzohen kush ka harxhuar më shumë në rrjete sociale, derisa qytetarët vuajnë për rritjen e çmimeve të produkteve bazë
- LEXO: Vlerësimi për vitin ekonomik 2024 në RMV: Menaxhim i ri i financave publike, kredia hungareze, standardi i jetesës
- LEXO: ANALIZË: Ekonomia në vitin zgjedhor 2024, rritje e ngadaltë ekonomike, inflacion njëshifror, shpenzime populiste buxhetore
- LEXO: Sot qytetarët në Maqedoninë e Veriut dhe në rajon bojkotojnë marketet për shkak të çmimeve të larta