Punëdhënësit duhet të punojnë për të përmirësuar shëndetin mendor në punë, mesazhe në Ditën Botërore të Shëndetit Mendor

Shëndeti mendor në punë, kjo është tema e Ditës Botërore të Shëndetit Mendor këtë vit, raporton Portalb.mk.

Në këtë ditë, anekënd Botës vijnë mesazhe të ndryshme ndërgjegjësimi mbi lidhjen e shëndetit mendor dhe punës.

Organizata Botërore e Shëndetësisë thekson se kushtet jo të shëndetshme, duke përfshirë stigmën, diskriminimin dhe ekspozimin ndaj rreziqeve si ngacmimi mund të ndikojnë në shëndetin mendor.

“Shëndeti i dobët mendor mund të çojë në ulje të performancës, mungesë dhe rritje të qarkullimit të stafit. Vetëm depresioni dhe ankthi rezultojnë në humbjen e afërsisht 12 miliardë ditëve të punës çdo vit, duke i kushtuar ekonomisë globale rreth 1 trilion dollarë në vit”, thotë OBSH-ja.

Nga aty thonë se është thelbësore që qeveritë, punëdhënësit, organizatat që përfaqësojnë punëtorët dhe punëdhënësit, dhe palët e tjera të interesuara përgjegjëse për shëndetin dhe sigurinë e punëtorëve të punojnë së bashku për të përmirësuar shëndetin mendor në punë.

Nga Instituti i Shëndetit Publik në RMV ndanë nëntë mesazhe themelore në këtë ditë.

“Shëndeti mendor dhe puna janë të lidhur ngushtë. Punonjësit përballen me rreziqe për shëndetin mendor. Ndikimi ndaj individëve. Pasoja më të gjera për punën dhe shoqërinë. Stigma krijon barriera për punësimin. Mbështetje për punonjësit që të marrin pjesë dhe të përparojnë në punë. Trajnimi i menaxherëve për mbështetje të shëndetit mendor. Veprimi dhe bashkëpunimi i qeverisë është thelbësor. Kujdesi për shëndetin mendor personal”, thuhet mes tjerash nga ISHP-ja.

Nga organizata HERA thonë se shëndeti mendor është po aq i rëndësishëm për mirëqenien tonë sa edhe shëndeti fizik.

“Stigma që rrethon çrregullimet mendore mund t’i pengojë ata të kërkojnë ndihmë. Kjo është arsyeja pse është e rëndësishme të krijohet një mjedis ku të gjithë mund të flasin lirisht për ndjenjat e tyre. Në këtë ditë, ne inkurajojmë të gjithë të mendojnë për shëndetin e tyre mendor dhe të mësojnë për burimet që mund të ndihmojnë”, thonë nga HERA.

Për djemtë dhe burrat, HERA ofron Qendër Mbështetëse dhe Këshillimore, detajet për të i gjeni KËTU.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka përcaktuar 10 tetorin e çdo viti si Ditën Botërore të Shëndetit Mendor, si një mundësi për të rritur ndërgjegjësimin për çështjet e shëndetit mendor dhe përpjekjet e mobilizuara në mbështetje të shëndetit mendor në mbarë botën.

Instituti i Shëndetit Publik (ISHP)Organizata Botërore Shëndetësore (OBSH)Shëndeti mendorShoqata Hera