Pse nuk është pastruar shtrati i Shkumbinit në lagjen Dardania? Kasami: Që ju të bëni lajm (Video)

“Që ju të bëni lajm, edhe atë kur ne e pastrojmë, ju të bëni lajme se nuk pastrohet lumi i Tetovës”. Kështu u përgjigj kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami kur u pyet nga gazetari i Portalb.mk se pse nuk është pastruar shtrati i lumit Shkumbin në Lagjen Dardania në Tetovë i cili është shndërruar në deponi.

Kasami më pas sqaroi se kjo pjesë e lumit ka tender të veçantë jo vetëm për pastrim por për rregullimin e shtratit të lumit.

Ndërkaq se kur pritet të përfundojnë punimet Kasami deklaroi:

“Këto ditë operatori do të marrë urdhër nga komuna për të nisur punimet, nëse jo këtë javë, besoj javën e ardhshme do të nisin punimet”.

Në ndërkohë edhe nisma Më Mirë për Tetovën ka kërkuar që të pastrohet shtrati i lumit në lagjen Dardania.

“Inkurajojmë Komunën e Tetovës që pastrimin e shtratit të lumit ta vazhdojë edhe në lagjen Dardania pasi deponitë me mbeturina në brendinë e lumit rrezikojnë sigurinë e banorëve. Gjithashtu vitin e ardhshëm në buxhet duhet të planifikohet rregullimi i shtratit të lumit në atë pjesë dhe të kompletohet shtrati i lumit në pjesën urbane të qytetit”, thanë nga Më Mirë për Tetovën.

Më 22 shtator Portalb.mk raportoi për ndotjen dhe deponinë e krijuar në shtratin e lumit Shkumbin në Lagjen Dardania dhe shtratin e dëmtuar.

Nga Komuna e Tetovës në fillim të këtij muaji filluan të lavdërohen në rrjetet sociale se ka filluar pastrimi i shtratit të lumit, ndërsa më pas edhe se është pastruar shtrati i lumit. Por, duke mos përfshirë pjesën e lumit që ndodhet nën urën industriale te lagja Dardania ku situata mbetet alarmante.

Portalb.mk vazhdimisht me javë të tëra kërkoi përgjigje na Komuna e Tetovës për këtë problematikë, por nga atje nuk u përgjigjën në pyetjet gazetareske mbi këtë çështje.

Ja se si duket kjo pjesë e lumit.

Bilall KasamiIniciativa Më mirë për TetovënKomuna e TetovësLumi Shkumbin