PS pranoi propozimet e PD për amnistinë penale

Për të kaluar amnistinë penale socialistëve u nevojiten 84 vota në Kuvend, ndaj dhe janë të gatshëm të pranojnë edhe propozimet e bëra nga opozita, raporton Klan. Pas propozimit të bërë në fund të janarit nga demokrati Ferdinand Xhaferraj, Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja u shpreh i gatshëm për të pranuar edhe ndryshimet e kërkuara nga demokratët e Lulzim Bashës. Këta të fundit kërkojnë faljen e 100 protestuesve të opozitës nga 1 tetori i 2018 deri në 31 dhjetor 2020, të cilët janë në ndjekje penale apo proces gjyqësor.

“Jam dakord që kjo kategori personash qoftë të dënuar apo në ndjekje penale që kanë të bëjnë me liri politike të qytetarëve pse jo nëse merr votën e deputetëve nuk kemi kundërshtim”, tha Manja.

Përfitues të amnistisë penale pritet të jenë 600 të burgosur, mes të cilëve edhe personat e dënuar në mungesë, që janë në kërkim ose dënim të formës së prerë, të cilët janë pjesë e kategorisë përfituese.

“Nëse janë kategori përfituese sipas ligjit të amnistisë, personat që i shmangen drejtësisë dhe janë të dënuar në mungesë e kanë mundësinë të vendosin vullnetarisht të shkojnë të ekzekutohet vendimi penal i formës së prerë”, shtoi ministri.

Gjatë prezantimit të amnistisë penale në Komisionin e Ligjeve, ministri Manja foli me shqetësim edhe për mbipopullimin e burgjeve, që sipas tij tejkalon kapacitet e vendosura nga BE-ja.

“Jemi tek 2500 persona të paraburgosur më shumë sesa standardet e BE. Jemi mbi kapacitetet. Amnistia në këtë moment përveç parimeve të tjera, do na shërbejë edhe ne për të na krijuar një mundësi të sistemit siç duhet”, u shpreh Manja.

Nga amnistia penale përfitojnë meshkujt, përfshi dhe ata mbi 60 vjeç që janë dënuar deri në 3 vite apo që kanë marrë dënime më të mëdha, por që u kanë mbetur 3 vite dënim për të shlyer. Përfituese janë edhe femrat që kanë dënime deri në 4 vite apo ato të cilat janë mbi 50 vjeç. Ndërkohë socialistët kanë propozuar që pjesë e amnistisë penale të jenë edhe të dënuarit për veprat penale për ndërtimet pa leje.

Partia Demokratike (PD)Partia Socialiste (PS)Shqipëria