Protesta e bujqve grekë do bllokojë kufirin midis RMV-së dhe Greqisë sot për disa orë

Bujqit grekë nga pjesa veriore dhe veriperëndimore e Greqisë sot për disa orë do të bllokojnë pikat kufitare Evzoni (Bogorodicë) dhe Niki (Mexhitli) me Maqedoninë e Veriut, transmeton Portalb.mk nga MIA.

Në Evzoni do të mbahet tubimi i bujqve, i cili do të fillojë rreth orës 13-13:30 me orën greke, gjegjësisht 12-12:30 me orën e RMV-së dhe gjatë periudhës së protestës pritet të bllokohet qarkullimi në pikën kufitare për disa orë.

Vendkalimi kufitar Niki, sipas mediave vendase, do të jetë i mbyllur nga ora 12:00 deri në 16:00 me orën greke, përkatësisht nga ora 11:00 deri në 15:00 me orën e RMV-së.

Shkak për aktivitetet e intensifikuara të bujqve sot në Greqi është takimi në Bruksel i ministrave të bujqësisë të Bashkimit Evropian, ku do të diskutohet për politikën e re të përbashkët bujqësore.

Kryetari i shoqatës së bujqve nga zona e Peonisë, Thomas Karipidis, i cili udhëheq edhe aktivitetet në pikën kufitare, tha se në Evzon për sot është planifikuar “një tubim i madh bujqësor në pikën kufitare”.

“Sigurisht që pika kufitare do të mbyllet, do të ketë shumë njerëz, do të ketë shumë pjesëmarrje me mjete bujqësore”, tha Karipidis.

Bujqit janë aktivë në të gjithë Greqinë prej më shumë se një muaji dhe i kërkojnë qeverisë të plotësojë të gjitha kërkesat e tyre në lidhje me rritjen e kostove të prodhimit.

Protestat e fermerëve grekë u intensifikuan ndërsa javën e kaluar mijëra protestues marshuan në kryeqytetin Athinë.

Bujqësi - Bujk - FermerëGreqiaKufiri RMV-GreqiProtesta