Promovohet grupi Besarta Murtezani dhe Ansambli Dardanus, do të japin koncert në Kroaci

Sonte në shkollën e muzikës do të jepet koncerti i parë i grupit më të ri Besarta Murtezani dhe Ansambli Dardanus, të cilët të premten do të kenë koncert në Kroaci, njofton Portalb.mk.

Koncerti i parë i Besarta Murtezanit dhe Ansamblit “Dardanus” në program do të përmbajë këngë arbëreshe, pjesë instrumentale dhe këngë lirike popullore shqiptare.

Formacioni është i përbërë nga Vullnet Neziri oboist njëherit edhe iniciues i kësaj nisme të bukur, Syhana Reci në violë, Gresa Mehmeti në violonçel, Jetmir Mehmedi në kitarë, Shkëlqim Jahi në fizarmonikë, Bjondina Beqiri në piano dhe sopranoja Besarta Murtezani.

Orkestrimin e një kënge e ka bërë Edon Ramadani, ndërsa të tjerat Vullnet Neziri. Besar Iljazi u kujdes për dizajnin grafik të afishes.

Programi: I kam hyp vaporit.

Pjesa me këngë arbëreshe: Kopile moj kopile; Rina, rina ti ku vajte – Aranzhuar nga Edon Ramadani; Ku vate moti.

Instrumentale me fyell: “Valle Matjane”; Këngë klasike shqiptare; Kroi i fshatit tonë.

Instrumentale me fyell: “Lulet e Marsit” – komponuar nga Ylber Asllanaj.

Kolazh shkodran: Pranvera filloj me ardhë; Me lule t’bukura; Margjelo.

Të premten më datë 24 maj në orën 19:00 do të udhëtojnë për në Zagreb ku do të japin koncertin me ftesë nga Këshilli Kombëtar Shqiptar i Qytetit të Zagrebit dhe Shoqata Kulturore Shqiptare në Kroaci “Shkëndija”. Vendi: Hrvatski Novinarski Dom/Pallati i Gazetarëve Kroat, Perkivćeva 2, Zagreb.

Këngë - Këngëtar(e)Kultura shqiptareKulturë lajme