Prokuroria filloi hetimet për arkëtarin e Myftinisë për “blerje të votave” në Maqedoninë e Veriut, reagoi Myftinia e Velesit

Në lidhje me arrestimet e djeshme nën dyshimet për blerje të votave, Prokuroria Themelore Publike në Veles ka filluar hetimet, ndërkohë Myftinia e Velesit ka reaguar në lidhje me këtë rast, transmeton Portalb.mk.

“U miratua Urdhri për zbatimin e procedurave hetimore ndaj një personi për veprën penale – Përpunimi, mbajtja, ndërmjetësimi dhe tregtia me armë ose materiale eksplozive në bazë të nenit 396, paragrafi 5, në lidhje me paragrafin 3 nga Kodi Penal”, deklaroi Prokuroria, duke theksuar që ndaj tij ishte propozuar paraburgim.

Në raportin e Prokurorisë, përkujtohet që gjatë bastisjes së të dyshuarit në një fshat të Çashkës, policia kishte gjetur armë dhe municion të llojeve të ndryshme.

“PTHP Veles vazhdon të procedon dhe të marrë veprime për konfirmimin e dyshimeve për blerjen e votave te ky i dyshuar dhe të një person tjetër nga Velesi, te i cili gjithashtu ishin kryer bastisje për blerje të votave”, raportoi Prokuroria.

Myftinia e Velesit ka reaguar përmes një shkrese publike duke i quajtur te rrejshme shkrimet në lidhje me përfshirjen e të punësuarit 50 vjeçar A.Ç. në “blerjen e votave” dhe “armëmbajtje pa leje”.

“Ne si Muftini e Velesit ndjejmë nevojë urgjente që ta njoftojmë opinionin e gjerë dhe t’i përgënjeshtrojmë këto spekulime dashakeqe, duke bërë të ditur se personi A.Ç është arrestuar për shkak të mbajtjes së armës, ndërsa shumën e parave që përmendin portalet, me përgjegjësinë më të madhe vërtetojmë se janë të dokumentuara dhe evidentuara në Muftininë e Velesit dhe janë para të Muftinisë që shërbejnë vetëm për nevojat e saj”, raportoi Myftinia.

Në shpjegimin e tyre theksohet se paratë janë ruajtur në shtëpinë e arkëtarit të Myftinisë pasi nuk kanë arkë për ruajtjen e tyre.

Më 6 maj, zyrtarët policorë të Departamentit të Policisë Kriminale në SPB Veles kanë arrestuar dy persona nga Çashka, të cilët dyshohen për ryshfet gjatë zgjedhjeve. Në banesat e tyre është bërë bastisje dhe janë gjetur pistoleta të ndryshme, plumba dhe para. MPB-ja njoftoi se ndaj tyre do të ngritet padi përkatëse.

Rrethi i dytë i zgjedhjeve presidenciale do të mbahet me 8 maj së bashku me zgjedhjet parlamentare.

Bashkësia Fetare Islame RMV (BFI)Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve RMV (KSHZ)Ministria e Punëve të Brendshme (MPB)Policia e Maqedonisë së VeriutZgjedhje parlamentare RMV 2024Zgjedhje presidencialeZgjedhje presidenciale RMV 2024