Projekt aftësimi në industrinë e rëndë, trajnim profesional për mekanikë të kamionëve për të rinjtë dhe të rejat nga Ballkani Perëndimor

Në vendet e Ballkanit Perëndimor ka papunësi të lartë tek të rinjtë, dhe në të njëjtën kohë ka mungesë të theksuar të mekanikëve dhe shoferëve të kamionëve. Për të ndihmuar në zgjidhjen e këtij problemi, Suedia përmes agjencisë Sida, së bashku me Helvetas dhe Volvo Group, do të bashkëpunojnë në formimin profesional bazuar në nevojat e industrisë së automobilave. Një theks i madh do t’i vihet integrimit të grave dhe të rinjve në tregun e punës, veçanërisht në sektorin e transportit. Projekti do të fokusohet në zgjidhje të qëndrueshme dhe miqësore me mjedisin, duke theksuar aftësitë e nevojshme për të përdorur teknologjinë e gjelbër në kamionët e sotëm, transmeton Portalb.mk. 

“Projekti përfshin gjithashtu investime të rëndësishme për të mbajtur një mjedis mbështetës biznesi që inkurajon inovacionin dhe investimet. Kjo qasje holistike synon të promovojë krijimin e sistemeve më elastike dhe të qëndrueshme në rajon”, thuhet në njoftim.

Projekti i ri do të punojë për të kapërcyer hendekun e aftësive në industrinë e rëndë dhe atë të transportit duke ofruar arsim dhe trajnim profesional të specializuar (AFP) për të rinjtë dhe të rejat kryesisht në Maqedoninë e Veriut, Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Serbi. Ai jo vetëm që do t’u mundësojë të rinjve të këtyre vendeve të fitojnë aftësitë e nevojshme për t’u bërë mekanikë të aftë të kamionëve, por gjithashtu synon të promovojë barazinë gjinore dhe përfshirjen sociale në industri.

Është një partneritet ndërmjet SIDA – Agjencisë Suedeze për Bashkëpunim Ndërkombëtar për Zhvillim, Volvo Group dhe organizatës zvicerane Helvetas.

Për informacione shtesë mund të kontaktoni në emailin aleksandra.siljanovska@helvetas.org.

Ballkani PerëndimorBarazi gjinoreTë rinj - Rini - Rinia