Portalb.mk vazhdon të sjellë profile grash të suksesshme që kanë kontribuuar dhe kontribuojnë për një të ardhme më të mirë të përbashkët në RMVProfesoresha Metrita Abazi e cila letërsisë i jepte ngjyra dhe kuptime të reja për sa u përket të drejtave njerëzore dhe barazisë gjinore. Në mungesë të një mirënjohjeje institucionale për gratë pensioniste që kanë punuar aq shumë në fushat e tyre për të mirën e përbashkët, ne si redaksi sjellim në fokus dhe rikujtojmë aktivitetin e tyre. Kësaj radhe prezantojmë profesoreshën e gjuhës shqipe Merita Abazin.
Merita Abazi është gruaja që qesh gjithmonë, që duket sikur gjithë jetën ka jetuar pa brenga e halle. Energjia e saj pozitive e bën të denjë për të qenë një profesoreshë e gjuhës shqipe dhe një pedagog që ka ngelur në kujtesën e nxënësve që i ka pasur të shumtë. Me nderime të larta e ndalojnë rrugës, flasin për mënyrën magjike të interpretimit të letërsisë. Ca thonë se të ishe në klasën e Merita Abazit ishte si të shihje film. Letërsisë i jepte ngjyra dhe kuptime të reja.
Tashmë, Merita Abazi është në pension, por elanin për leximin dhe punën e ruan. Ajo kudo ku takon nxënës i porosit të lexojnë. “Ndoshta mund të dukem e çuditshme, se më shohin me habi kur i takoj të rinjtë në stacion dhe u them lexoni …”
Ajo është një gjyshe e lumtur që tregon përralla dhe ndoshta përralla më e bukur është vetë jeta e saj.
Merita Shefqet Abazi lindi në 6 mars 1955 në Tetovë. Shkollën fillore dhe gjimnazin e mbaroi në Tetovë, ndërsa Fakultetin e Filologjisë Dega e Gjuhës dhe e Letërsisë shqipe në Shkup. Merita u punësua në gjimnazin “Zef Lush Marku” në Shkup në vitin 1980 dhe u pensionua në mars të vitit 2020.
Merita shkruan poezi që nga shkolla e mesme, kështu që pas pensionimit, vendosi t’i botojë krijimet e saja letrare. Në fillim e hapi kanalin e saj në Youtube me titullin “Përrallat e nanës” ku i zgjodhi, i përktheu, i përgatiti dhe i tregon në vazhdimësi në gjuhën e sotme standarde përrallat më të bukura shqiptare dhe botërore, legjendat, mitet dhe tregimet. Në vitin 2022 botoi përmbledhjen e parë me poezi “Imagjinata e endacakes”. Ajo vazhdoi me aktivitetet e saja si në poezi ashtu edhe në prozë. Libri i saj i dytë “Nëpër stinët e kohës”, është një përmbledhje kujtimesh nga fëmijëria, rinia dhe pjekuria.
Libri i saj i tretë me tregime u botua më 2023. Kordele me rrëfime”, u botua në Prishtinë 2024. Ajo vazhdon me shkrime të poezive në përmbledhjen e dytë “Dashurinë ia falim pranverës”.
Merita gjithashtu, është duke përgatitur një vepër me vështrimet e saja kritike për veprat e shkrimtarëve më eminentë shqiptarë dhe botërorë.
Është aktive me shoqatat e shkrimtarëve, sidomos me Oeneumin Tetovë, ‘’shëtisim mbajnë orë letrare dhe dhurojmë libra’’, siç shprehet ajo.
Momentalisht është duke punuar në një roman.