Prishtinë, do të prezantohet hulumtimi për muzikën shqiptare “Nga Prespa në Prishtinë: 40 vjet hulumtim për muzikën shqiptare”

Instituti Albanologjik-Prishtinë, gjegjësisht Dega e Folklorit, në kuadër të programit të ligjëratave dhe takimeve shkencore “Leksione albanologjike”, do të ketë mysafire etnomuzikologen e njohur, profesoreshën emeritus, Jane Sugarman, e cila do ta mbajë ligjeratën publike me temën “Nga Prespa në Prishtinë: 40 vjet hulumtim për muzikën shqiptare”, njofton Portalb.mk. Kjo ligjëratë do të mbahet sot me datë (16.10.2024 ) e mërkurë, ora 11:00, në Institutin Albanologjik, duke shënuar kështu fillimin e programit “Leksione albanologjike”.

Në këtë ligjëratë, profesoreshë Jane Sugarman do të flasë për hulumtimin e saj dyzetvjeçar për muzikën shqiptare, të cilin ajo e ka filluar në vitin 1980 në Prespë të Maqedonisë së Veriut.

Teza e saj e doktoratës rreth riteve dhe këngëve të dasmës prespane i ka hapur shtigje për hulumtime të mëtutjeshme për muzikën shqiptare në diasporë, e më pas edhe në Kosovë. Si njohëse e shkëlqyer e gjuhës shqipe, profesoreshë Sugarman, përvojën e saj e ka orientuar në përcjellje të trendëve të muzikës shqiptare deri te muzika mediatike. Gjatë prezantimit do të reflektojë për dallimin midis hulumtimit për një komunitet të vogël rural dhe atij për një shoqëri komplekse, siç është shoqëria e sotme e Kosovës.

Jane Sugarman është etnomuzikologe dhe profesoreshë emeritus e muzikës në Qendrën e Studimeve Pasuniversitare të Universitetit Qytetar të Nju Jorkut (CUNY) në SHBA. Që nga viti 1980 ka bërë hulumtime për muzikën shqiptare, së pari në Maqedoninë e Veriut, pastaj në disa vende të diasporës, ndëra nga viti 2002 edhe në Kosovë. Në vitin 1997 e ka botuar librin “Engendering Song: Singing and Subjectivity at Prespa Albanian Weddings”, që i analizon ritet dhe këngët e dasmës së shqiptarëve nga rrethi i Prespës në jug të Maqedonisë së Veriut. Ka botuar edhe shumë artikuj për lidhjen e muzikës dhe vallëzimit me gjininë, kombin, diasporën, globalizmin, dhe konfliktet ndërkombëtare. Momentalisht është duke përfunduar një libër për muzikën mediatike të shqiptarëve të Kosovës nga viti 1948 deri në vitin 2008.

Arbnora Dushi studiuesja e folklorit dhe udhëheqëse e Degës së Folklorit në Institutin Albanologjik në Prishtinë për Portalb.mk tha se ka shumë të interesuar të cilët janë paraqitur për ta ndjekur nga afër  këtë ligjeratë kaq të rëndësishme, dhe se ky raport hapi një shteg të ri të punës që është bërë deri më tani.

“Instituti Albanologjik nesër po fillon programin me leksione albanologjike, ku kemi vendosur që për çdo muaj të kemi nga një studiues të huaj, jo domosdoshmërisht të huaj, por të kemi emra të mëdhenj të kulturës për studime dhe albanologji, të cilët kanë dhënë kontribut në hulumtimin e kulturës shqiptare. Po e fillojmë me profesoreshën Jane Sugarman e cila 40 vjet është marrë me hulumtimet e muzikologjisë dhe etnomuzikologjisë shqiptare në Ballkan. Hulumtimet e saja janë hulumtime në konferenca, botime të njohura botërisht. Sigurisht se ky hulumtim do ta pasuroj folklorin tonë në përgjithësi, sepse ne me këtë do e hapim një shteg  të ri. Nëse deri më tani p.sh kemi prezentu dhe kemi bërë hulumtime ne vetë në fushën tonë, inkurajojmë edhe studiuesit e tjerë, dhe nëpërmjet kësaj forme ta njofim edhe veten më shumë, sepse duke parë si na shohin të tjerët ne vetëdijesohemi të shohim vlerat tona edhe si ato shihen nga të tjerët”, tha  Arbnora Dushi studiuesja e folklorit dhe udhëheqëse e Degës së Folklorit në Institutin Albanologjik në Prishtinë.

Profesoresha Jane Sugarman është anëtare e jashtme e redaksisë së revistës shkencore “Gjurmime albanologjike”, seria Folklor dhe Etnologji. Redaktimet dhe sugjerimet e saj akademike kanë dhënë ndihmesë të jashtëzakonshme që punimet e studiuesve tanë të jenë sa më të kompletuara dhe sa më të përmbushura shkencërisht. Profesoreshë Sugerman është bashkëpunëtore e kahershme e Institutit Albanologjik-Prishtinë.

Diaspora shqiptareKultura shqiptare