Presidentja e parë grua e Maqedonisë së Veriut foli për raportet me fqinjët dhe ndryshimet kushtetuese

Për herë të parë që nga pavarësimi në vitet ‘90, Maqedonia e Veriut zgjodhi një grua për presidente të shtetit, raporton Radio Evropa e Lirë. Fqinjëve u bëri thirrje që ta mbështesin, siç tha, ballkanizimin, ta ndihmojnë njëri-tjetrin dhe të jenë politikanë të vërtetë.

“Nga ky moment do të sillem si presidente e të gjithë qytetarëve, të gjitha grupeve etnike, të gjithë anëtarëve partiakë, atyre që nuk janë në parti… sepse presidentja nuk mund ta bashkojë popullin dhe të kërkojë unitet nëse mban vija partiake”, tha ajo.

Presidentja e ardhshme e Maqedonisë së Veriut, Gordana Silanovska – Davkova ishte kandidate për presidente e mbështetur nga VMRO-DPMNE. Si Silanovska, ashtu edhe VMRO-DPMNE arritën të nxjerrin rezultate të mira zgjedhore, krahasuar me LSDM-në dhe kandidatin e tyre, Stevo Pendarovskin.

“Duhet të fillojmë ta kuptojmë njëri-tjetrin, ta ndihmojmë njëri-tjetrin, të mos kërkojmë veto, por të kërkojmë mbështetje. Rrugët e mia së pari çojnë në Ballkan, dhe, natyrisht, as Brukseli nuk është jashtë”, tha Silanovska-Davkova, duke kërkuar nga vendet ballkanike të mbështesin ballkanizmin.

Ajo nuk e mbështet ndryshimin e Kushtetutës, por në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë së voni, tha se nëse Kuvendi i miraton amendamentet kushtetuese – të cilat do të mundësonin që bullgarët dhe pesë pakicat e tjera etnike të bëheshin pjesë e Kushtetutës maqedonase – ajo do t’i respektonte ato.

Ndryshe, presidenti bullgar Rumen Radev komentoi se së shpejti do të bëhet e qartë nëse kryetarja e sapozgjedhur Gordana Siljanovska-Davkova dhe partia VMRO-DPMNE do të punojnë për perspektivën evropiane të Shkupit. Ai ka thënë se gjithmonë e ka përkrahur integrimin evropian të Maqedonisë, por në përputhje me parimet e fqinjësisë së mirë dhe kriteret e Kopenhagës për anëtarësim.

Gordana Siljanovska Davkova, në rrethin e dytë të zgjedhjeve të shtata presidenciale u zgjodh presidentja e parë grua në historinë e Maqedonisë së Veriut me një diferencë prej mbi 300 mijë vota nga kundër kandidati i saj, presidenti i deritanishëm Stevo Pendarovski.

 

Bashkimi Evropian (BE)Eurointegrime Negociata RMV-BEGordana Siljanovska DavkovaPresidenca e RMV-sëVMRO-DPMNEZgjedhje presidencialeZgjedhje presidenciale RMV 2024