Presidenti i përkohshëm sirian vizitoi Arabinë Saudite, sinjal potencial për Iranin

Presidenti i përkohshëm i Sirisë, Ahmad al-Sharaa, e ka realizuar vizitën e tij të parë jashtë shtetit në Arabinë Saudite, dhe ky vendim po shihet si sinjal për distancimin e Damaskut nga Irani, dikur aleat kryesor rajonal, raporton Radio Evropa e Lirë.

Ahmad al-Sharaa, i cili dikur kishte lidhje me Al-Kaidën, ka arritur në Riad bashkë me ministrin e Jashtëm të Qeverisë së tij, Asaad al-Shaibani. Dy burrat kanë udhëtuar me aeroplan saudit.

Televizioni shtetëror saudit e ka trumbetuar faktin që al-Sharaa, i njohur edhe si Abu Mohammed al-Golani, ka vendosur ta bëjë vizitën e parë jashtë shtetit në Riad.

Ai është takuar me liderin de facto të Arabisë Saudite, princin Mohammed bin Salman, në pallatin al-Yamamah në Riad.

Arabia Saudite ka qenë ndër vendet kryesore arabe që ka ndarë fonde për grupet kryengritëse, që kanë tentuar të rrëzojnë nga pushteti Bashar al-Assadin, pas nisjes së protestave më 2011, të cilat u shtypën përgjakshëm nga pushteti dhe nisën luftën civile.

Në dhjetor të vitit 2024, grupi i udhëhequr nga al-Sharaa, Hayat Tahrir al-Sham [HTS], ka nisur ofensivë të shpejtë, që ka rezultuar me rrëzim të Assadit nga pushteti.

Grupi i Sharaas ka qenë dikur i lidhur me Al-Kaidën, mirëpo i ka prishur lidhjet me kalimin e kohës.

HTS është organizatë e shpallur terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Irani nuk e ka rihapur ende ambasadën në Damask, vend në të cilin ka kryer shumë operacione përmes të ashtuquajturit Bosht i Rezistencës, përfshirë Assadin në Siri, Hezbollahun në Liban dhe partnerë tjerë.

Rusia, në anën tjetër, e ka humbur qasjen në bazat e veta ushtarake në Siri, prej largimit të Assadit nga Siria.

Vetë presidenti rus, Vladimir Putin ia ka miratuar azilin atij dhe familjes së tij në Moskë.

Arabia Saudite - Emiratet e BashkuaraBashar Al Asad (Assad)IraniSiria