Presidenti i Iranit u kërkoi falje vendeve të Gjirit për sulmet: Nuk do t’i sulmojmë fqinjët “përveç nëse sulmohemi të parët”

Presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian, ka transmetuar një video mesazh në televizionin shtetëror iranian, ku kërkoi falje ndaj vendeve fqinje dhe deklaroi se Irani nuk ka ndërmend të ndërmarrë sulme kundër tyre, përveç në rast se sulmohet i pari, shkruan BBC, transmeton Portalb.mk.

“E konsideroj të nevojshme t’u kërkoj falje vendeve fqinje që janë sulmuar,” tha ai.

“Ne nuk kemi për qëllim të pushtojmë vendet fqinje,” shtoi presidenti, duke bërë thirrje për bashkëpunim rajonal për të “vendosur paqe dhe qetësi”.

Pezeshkian theksoi gjithashtu se është marrë një vendim nga udhëheqja për forcat e armatosura:
“Që nga tani, të mos sulmohen vendet fqinje përveç nëse sulmohemi të parët.”

Ai paralajmëroi se vendet që mund të përpiqen të shfrytëzojnë këtë moment për të sulmuar Iranin “nuk duhet të bëhen kukulla të imperializmit”.

Sipas tij, mbështetja për Izraelin ose Shtetet e Bashkuara “nuk është rrugë drejt nderit dhe lirisë.”

Arabia Saudite - Emiratet e BashkuaraIrani