Premtuan ndryshime, sollën arsyetime, Mexhiti: Nuk mjafton një vit për ndryshimet kushtetuese

Pushteti i RMV-së është kategorik se nuk do të ketë ndryshime kushtetuese. Kjo u dëshmua edhe nga paraqitja e fundit e kryediplomatit Timço Mucunski, në intervistën e fundit për revistën Politiko. Për zëvendëskryeministrin Izet Mexhiti, kuadër i VLEN-it koha prej një viti në qeveri nuk është e mjaftueshme për ndryshimet kushtetuese, edhe pse premtim kryesor i tyre ishte se për gjasht muaj kjo punë do të kryhet. Nga ana tjetër, meqë ndryshimet kushtetuese janë kusht për anëtarësim në BE, ish kryediplomati, kuadër i BDI-së, Bujar Osmani mendon se ikja nga debati për BE-në është strategji e qeverisë, e cila sipas tij, po e shpie vendin drejt botës serbe dhe botës ruse, shkruan Portalb.mk.

Duke folur për procesin e integrimit evropian, ministri i Jashtëm, Mucunski theksoi se vendi aktualisht nuk është gati të bëjë ndryshimet kushtetuese të kërkuara nga Bullgaria, përveç nëse merr garanci të forta nga Bashkimi Evropian se kjo do të jetë kërkesa e fundit e tillë.

“Frika jonë është: nëse bëjmë ndryshimet kushtetuese, çfarë do të ndodhë nëse pas gjashtë muajsh Bullgaria vjen përsëri me kërkesa që lidhen me historinë, identitetin ose gjuhën?”, tha Mucunski.

Ai theksoi se Maqedonia e Veriut është gati dhe tashmë po punon për të gjitha reformat e tjera të nevojshme, sepse ato nuk janë vetëm një kërkesë e Unionit, por edhe një nevojë e shoqërisë.

“Nëse nesër shtetet anëtare na thonë se duhet të bëjmë më shumë në fushën e sundimit të ligjit ose qeverisjes së mirë – ne e kuptojmë këtë. Dhe jo vetëm që e kuptojmë, por e ndiejmë si detyrimin tonë”, shtoi ministri.

Ndryshe në pyetjen e Portalb.mk, se cka ka ndërmarr VLEN për ta bindur VMRO-DPMNE-në, për t’i bërë ndryshimet kushtetuese, zëvendëskryeministri Mexhiti tha se koha prej një viti në qeveri nuk është e mjaftueshme për ndryshimet kushtetuese.

“Këta tjerët që janë thirrë në Front Europian deri dje, tash AKI, cdo ditë kanë folur për ndryshime kushtetuese, 8 vjet s’kanë bë asgjë. VLEN për një vit është munduar. E ka në prioritetet e larta dhe nuk tërhiqemi nga prioritetet e larta. Besoj se do të ia arrijmë edhe kësaj. Koha prej një viti nuk është e mjaftueshme për zgjidhje të këtilla”, tha Mexhiti.

Rikujtojmë se premtimi kryesor i VLEN në zgjedhjet e fundit parlamentare ishte se do të ketë “ndryshime kushtetuese brenda gjashtë muajve”.

Nga ana tjetër, për ish ministrin e Jashtëm, Bujar Osmani, nuk është e rastësishme fakti që është zhdukur debati në diskursin publik për temën e BE-së. Ai mendon se ky është qëllim.

“Është strategji. Pse? Se po u futët në kapitujt e BE-së do ju vijnë të gjithë mekanizmat e monitorimit. Do ua kontrollojnë punën e reformave. Do ua kontrollojnë punën e mjeteve financiare, të prokurimeve publike. Dhe këta nuk duan kontrolle nga BE. Duan kontroll autoritar të sistemit. BE do kërkojë barazi të bashkësive etnike. Këta kanë nisur një proces të demontimit të MO, të përjashtimit të shqiptarëve nga çdo sferë e jetës. Dhe lëvizje strategjike e vendit drejt botës serbe dhe botës ruse. Kjo është politika e kësaj qeverie. Ajo çfarë është trishtuese është bashkëpunimi i VLEN-it, me këtë politikë. Dmth para syve tonë po ndodh lëvizja strategjike nga BE drejt Beogradit dhe Moskës dhe dikush po tenton ta legjitimojë”, tha në konferencë për media Osmani.

Ndryshe, Maqedonia e Veriut po pret lëvizje nga Bullgaria mbi propozimin për të hartuar një rezolutë të përbashkët që do të konfirmonte veçantinë e identitetit dhe gjuhës maqedonase në Parlamentin Evropian.

Maqedonia e Veriut mbetet e ngujuar në rrugëtimin drejt BE-së, shkaku i kontestit me Bullgarinë fqinje. RMV duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë. Ndryshimi kërkon shumicë prej dy të tretash dhe negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen këto ndryshime.

Kujtojmë se me kusht të ndryshimi të Kushtetutës, Maqedonia e Veriut më 19 korrik të vitit 2022 i filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022. Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.

Bashkimi Evropian (BE)Bujar OsmaniEurointegrime Negociata RMV-BEIzet MexhitiTimço Mucunski