Pozitat maqedono-bullgare nuk i ndajnë as milimetra e as centimetra, por kilometra

Nuk janë në pyetje milimetra dhe centimetra, por me sa duket kilometra. Fjalimi i djeshëm i kryeministrit Hristijan Mickoski në Kuvendin e Maqedonisë dhe rezoluta e sotme e Parlamentit bullgar me sa duket po zbulojnë një distancë gjithnjë e më të thellë dhe të dukshme midis qëndrimeve të Shkupit dhe ato të Sofjes, shkruan Meta.mk, njofton Portalb.mk.

Të dyja palët po demonstrojnë një qëndrim të fortë që duket sikur nuk ka vend për kompromis. Dje Mickoski tha se “nuk do të lëvizë asnjë milimetër” pa një maqedonas në Komitetin bullgar për minoritetet, ndërsa ministri bullgar i punëve ta jashtme sot ia ktheu se Bullgaria “nuk do të tërhiqet asnjë centimetër” nga qëndrimi i saj në kornizën negociuese, pra që bullgarët të hyjnë në Kushtetutë. E gjithë kjo vjen pas draft-raportit të parë të raportuesit të ri të Parlamentit Evropian për Maqedoninë e Veriut, Thomas Weitz.

Argumenti i Mickoskit duket se është i bazuar në reciprocitet. Nëse bullgarët në Maqedoni meritojnë të jenë në Preambulën e Kushtetutës, atëherë edhe maqedonasit në Bullgari meritojnë të kenë një përfaqësues në Komitet, pra njohjen e ekzistencës së tyre. Por, në rrethanat e sotme përdorimi i shprehjes “asnjë milimetër” kthehet në një sinjal politik se qeveria aktuale nuk ka ndërmend ta zbatojë kushtin kryesor për hapjen e klasterëve me BE-në nëse Bullgaria nuk përmbush një kërkesë simetrike. Situata komplikohet nëse kemi parasysh se vendet kandidate nuk janë në të njëjtën pozitë për të dhënë ultimatume, krahasuar me vendet që tashmë janë anëtare të klubit.

Autoritetet në Maqedoni edhe deri më tani nuk e kanë kundërshtuar faktin se bullgarët duhet të bëhen pjesë e Kushtetutës nëse duam të avancojmë në procesin negociues, por kanë kërkuar një garanci se Bullgaria nuk do të ketë kërkesa të tjera në lidhje me çështje të njëjta ose të ngjashme, edhe pse një gjë të tillë nuk mund ta marrin. I ngjashëm është edhe mesazhi nga Sofja: nuk ka kthim prapa. As edhe një centimetër. Nuk flasim për milimetra. Parlamenti bullgar unanimisht e miratoi deklaratën me të cilën, siç thonë ata, “për herë të fundit” e konfirmojnë qëndrimin e tyre. Ata nuk i pranojnë “të gjitha përpjekjet në kuadër të formateve dhe institucioneve të BE-së për të rinegociuar, anashkaluar ose injoruar elementet e marrëveshjeve të arrira”.

Ashtu siç kërkoi Mickoski një maqedonas në Komision, ashtu edhe bullgarët përmes Parlamentit të tyre po kërkojnë që Maqedonia të miratojë një plan veprimi për t’i mbrojtur të drejtat e bullgarëve në Maqedoni. Deputetët bullgarë theksojnë se për ta çështja nuk është dypalëshe, por pjesë e konsensusit evropian, ndërsa retorikën e “centimetrave” e përforcoi ministri bullgar i punëve të jashtme, Georg Georgiev, i cili konfirmoi se Sofja nuk ka ndërmend të lëshojë pe.

“Toni dhe sjellja diplomatike evropiane dhe e përmbajtur e Bullgarisë, në kundërshtim absolut me sjelljen e herëpashershme shumë histerike të vendeve të tjera, nuk duhet të ngatërrohet me mungesë aktiviteti. Bullgaria do të vazhdojë t’i përmbahet marrëveshjes së vitit 2022. Ne nuk do të tërhiqemi asnjë centimetër prej saj”, tha ai.

Mickoski në Shkup e theksoi edhe draft-raportin e raportuesit special të BE-së që do të gjendet para eurodeputetëve më 4 qershor si shembulli i parë i njohjes së gjuhës dhe identitetit maqedonas në Evropë. Vetë draft-raporti është i disponueshëm për publikun dhe është vënë në rendin e ditës të Komitetit të Punëve të Jashtme të PE-së, por në të nuk janë përfshirë referencat për gjuhën dhe identitetin maqedonas. Ato janë propozuar si amendamente nga më shumë eurodeputetë, përfshirë këtu edhe vetë raportuesin special. Por, ka amendamente edhe nga eurodeputetët bullgarë dhe nga disa anëtarë të tjerë të Parlamentit Evropian. Në fakt, për raportin e Weitz janë dorëzuar gjithsej 313 amendamente.

Për shembull, një nga amendamentet e Weitz e propozon përmbajtjen e mëposhtme të tekstit të raportit, duke shtuar pjesën “duke e respektuar plotësisht gjuhën dhe identitetin maqedonas“:

“Përkujton në nevojën për ruajtjen e momentumit dhe kredibilitetin e procesit të integrimit evropian; thekson se Maqedonia e Veriut vazhdon të tregojë përkushtim ndaj integrimit në BE dhe harmonizim me politikat e BE-së; bën thirrje për përparim të shpejtë në negociatat për pranim, duke e theksuar njëkohësisht rëndësinë e miratimit të amendamenteve kushtetuese me respekt të plotë për gjuhën dhe identitetin maqedonas; i inkurajon të gjitha partitë politike në Maqedoninë e Veriut të përfshihen në një dialog konstruktiv me qëllim arritjen e konsensusit të nevojshëm për këto amendamente, gjë që do ta përforconte karakterin multietnik të vendit dhe do ta përshpejtojë progresin e tij drejt anëtarësimit në BE“.

Por, për hir të së vërtetës, kjo nuk do të jetë hera e parë që Bashkimi Evropian jep një mbështetje të nivelit të lartë për gjuhën dhe identitetin maqedonas. Kjo u bë nga Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen në vitin 2022 në sallën e mbushur plot të Kuvendit në Shkup. Atëkohë deputetët e VMRO-DPMNE-së, bashkë me deputetët e partisë pro-ruse E Majta, protestuan dhe thërrisnin “tradhtarë”.

Problemi kryesor, nëse përfshirja e bullgarëve në Kushtetutën e Maqedonisë do të thotë humbje e gjuhës dhe identitetit maqedonas apo është thjesht një parakusht teknik, duket si një dilemë e rreme. Dilemë të cilën kryeministri i Maqedonisë e përsëriti edhe në CPAC në Budapest me pretendimin se identiteti maqedonas është i rrezikuar dhe se shteti duhet të mbrojë sovranitetin e tij.

Pavarësisht sinjaleve të vullnetit të mirë nga Brukseli të dyja palët po fundosen gjithnjë e më thellë në hendeqet e tyre të imagjinuara, duke i lënë qytetarët e Maqedonisë si humbësit e vetëm, ndërkohë që u referohen standardeve evropiane.

Maqedonia e Veriut duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë.

Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022.

Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.

Ndryshimi i Kushtetutës kërkon shumicë prej dy të tretash dhe negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen këto ndryshime.

Bashkimi Evropian (BE)Eurointegrime Negociata RMV-BEHristijan Mickoski HristianMarrëveshja me BullgarinëNdryshime Kushtetuese RMVQeveria e Maqedonisë së Veriut