Pothuajse asnjë parti nuk e përkrah idenë e VLEN-it për themelimin e Akademisë Shqiptare të Shkencave dhe Arteve

Pas njoftimit se Tetova, Gostivari, Zhelina dhe Çairi do ta financojnë themelimin e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Shqipërisë, duket se nuk do të jetë aq e lehtë të hapet kuleta komunale. Këshilltarët nga VMRO DPMNE, LSDM dhe BDI nuk do ta mbështesin këtë projekt, transmeton Portalb.mk.

Kryeministri tha se nuk i pëlqen temat etnike dhe nuk pret që ky qëndrim i tij të ndikojë në marrëdhëniet në koalicion.

Mbështetje nuk do të japin as këshilltarët e LSDM-së, nga ku po ashtu kanë paralajmëruar se do të kundërshtojnë me të gjitha mekanizmat në dispozicion, që të mos përdoren paratë e qytetarëve për këtë projekt. Dhe ata besojnë se shkenca nuk duhet të partizohet, etnizohet dhe keqpërdoret për qëllime politike ditore.

As BDI-ja nuk pajtohet me këtë ide.

“Ne si BDI nuk pajtohemi me këtë parim të funksionimit. Akademia Shqiptare e propaganduar në nivel kombëtar është kthyer në një organizatë joqeveritare dhe ne nuk jemi pjesë e projekteve të tilla. Në ato komuna ku funksionojnë partitë e VLEN-it, ne jemi opozitë, nuk jemi pjesë e shumicës qeverisëse”, tha sot Faton Ahmeti nga BDI.

“VLEN-i”, nga ana tjetër, u ka bërë thirrje të gjitha palëve që në vend të kritikave të mbështesin këtë nismë dhe të gjejnë një zgjidhje të drejtë për përfaqësimin e shqiptarëve në qarqet më të larta akademike.

Nga shoqata që ka ambicie të rritet në akademi, deri më tani kanë kërkuar mbështetje nga të gjitha partitë, por vetëm ky koalicion i ka pranuar për bisedë. Ata kishin dorëzuar edhe një raport prej 120 faqesh në Qeveri, por nuk morën përgjigje. Janë të regjistruar si shoqatë pasi kjo ishte kusht për t’u regjistruar.

Dje në Tetovë kryetarët e komunave të Tetovës, Gostivarit, Çairit dhe Zhelinës kanë pasur një takim me përfaqësues të kësaj shoqate dhe kanë paralajmëruar se do ta financojnë funksionimin e kësaj shoqate.

Koalicioni VLEN, që është pjesë e Qeverisë, njoftoi më 28 korrik se ka filluar procedurë për formimin e Akademisë Shqiptare të Shkencave dhe Arteve në Maqedoninë e Veriut. Lideri i koalicionit, Arben Taravari publikoi në Facebook se, mbledhja e parë për këtë temë është mbajtur në Tetovë, por selia e akademisë do të jetë në Shkup.

Akademia e Shkencave dhe Arteve e RMV (ASHAM)Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI)Lidhja Social Demokrate (LSDM)Qeveria e Maqedonisë së VeriutVLEN koalicioniVMRO-DPMNE