Postimi pa asnjë fakt pretendon se hakerat rusë shkaktuan shembjen e rrjetit rajonal të energjisë

Një postim në Facebook pretendon se hakerat rusë ishin përgjegjës për shembjen e rrjetit rajonal të energjisë që ndodhi më 21 qershor 2024, shkruan Vërtetmatësi.

Hakerët rusë si për fillim bënë një ushtrim të mirë demonstrues me energji elektrike, thuhet në postim.

Më 21 qershor 2024, siç raportojnë mediat, një numër i madh i qyteteve në Bosnjë dhe Hercegovinë, Mal të Zi, pjesë të Kroacisë dhe Shqipërisë kanë mbetur pa energji elektrike.

Operatori i sistemit të transmetimit në Shqipëri bëri të ditur se ndërprerja e energjisë elektrike ka ndodhur për shkak të vëllimit të madh të konsumit, si dhe temperaturave jashtëzakonisht të larta që shkaktuan defekt të linjës së interkonjeksionit me Greqinë.

Aksidenti ka nisur nga linja e interkonjeksionit me Greqinë dhe më pas ka vazhduar në një kaskadë në të gjithë vendin. Po merren masa për rikthimin e energjisë elektrike për të gjithë konsumatorët, tha operatori i sistemit të transmetimit në Shqipëri, raporton “360 Gradë”.

Ministrja e Energjisë në Shqipëri, Belinda Baluku, siç raporton “Sloboden Peçat”, deklaroi se do të duhet të kryhet një hetim i plotë, i cili do të marrë shumë kohë, por analizat fillestare tregojnë se sasitë e mëdha të energjisë elektrike në sistemin e transmetimit dhe temperaturat shumë të larta ishin shkaku i pengesave.

Siç raporton Reuters, ministri malazez i Energjisë ka deklaruar se ndërprerja është shkaktuar nga rritja e papritur e konsumit të energjisë elektrike për shkak të temperaturave të larta, por edhe nga vetë nxehtësia. Sistemet e shpërndarjes së energjisë elektrike janë të lidhura në vendet në të gjithë Ballkanin, kujtoi Reuters, raportoi Makfaks.

Defekti ka ndodhur si pasojë e ngarkesës së madhe në rrjet, rritjes së madhe të konsumit të energjisë elektrike për shkak të temperaturës së lartë, nga vetë nxehtësia, tha në një transmetim televiziv ministri malazez i Energjisë, Sasha Mujoviq, transmeton Makfaks.

Rrjeti Evropian i Operatorëve të Sistemit të Transmisionit ENTSO-E është duke hetuar incidentin që ka ndodhur në një pjesë të sistemit të furnizimit me energji elektrike në Evropën Juglindore, bëhet e ditur në faqen e internetit të ENTSO-E.

Në njoftim thuhet se ngjarja ka ndodhur në Shqipëri, Mal të Zi, Bosnje-Hercegovinë dhe pjesërisht në Kroaci.

Operatorët e prekur të sistemit të rrjetit, me mbështetjen e operatorëve fqinjë, rikthyen rrjedhën normale të tensionit pas gati dy orësh për të reduktuar ndikimin e problemit tek konsumatorët, thuhet në një deklaratë të përcjellë nga Meta.

“ENTSO-E” është duke punuar në mbledhjen e të dhënave teknike për ndërprerjen e rrymës nga operatorët e prekur dhe do të publikojë informata shtesë sa më shpejt që të jetë e mundur”, thuhet në njoftim.

Pra, sipas të gjitha informacioneve, rritja e konsumit të energjisë elektrike dhe temperaturat jashtëzakonisht të larta shkaktuan defekt të linjës së interkonjeksionit me Greqinë, gjë që ka qenë arsyeja që një pjesë e madhe e qyteteve në Shqipëri, Mal të Zi, Kroaci dhe BeH kanë mbetur pa energji elektrike. Shkaqet e këtij aksidenti do të hetohen më tej nga Rrjeti Evropian i Operatorëve të Sistemit të Transmetimit ENTSO-E. Askund në raportet fillestare nuk përmendej ndonjë haker, më së paku rusë. Nuk ka asnjë provë që hakerat rusë kanë kryer një stërvitje demonstruese dhe kanë shkaktuar kolapsin e rrjetit të energjisë në rajon, siç pretendon postimi që po analizojmë. Prandaj e vlerësojmë si të pavërtetë.

RusiaSulm hakerësh - Haker(e)Vertetmatës recension - verifikim i fakteve