Në këtë rast nuk bëhet fjalë për ndonjë “parkim artistik”, siç përpiqet ta paraqesë postimi që po e analizojmë, por për një aksident trafiku në të cilin ishte i përfshirë një automjet i tretë, për shkak të të cilit të dy automjetet përfunduan të pozicionuara ashtu siç shfaqen në fotografinë e postimit, shkruan Vërtetëmatësi, transmeton Portalb.mk.
Po analizojmë një postim në Facebook i cili thotë:
Edhe kjo ndodh në Shkup: Një veturë e parkuar mbi një tjetër veturë!
Postimi ndan një fotografi në të cilën shihen dy automjete, ku njëri është ngjitur me pjesën e pasme mbi pjesën e përparme të automjetit tjetër.
Kjo fotografi ka shkaktuar një sërë komentesh poshtë postimit.
Postimi gjithashtu shpërndan edhe një shkrim në të cilin theksohet:
Një skenë e pazakontë është regjistruar sot në Shkup, një qytet ku trafiku po bëhet çdo vit e më i padurueshëm. Është e vërtetë që mungesa e vendeve për parkim është një problem i madh, por gjithashtu është e pamohueshme që shumë shoferë nuk tregojnë aspak kujdes – as gjatë vozitjes, e as gjatë parkimit. Në orët e para të mëngjesit, në rrugën “Naroden Front”, është parë një pamje e çuditshme: një veturë e vogël ishte pothuajse “e shtypur” nën pjesën e pasme të një. veture tjetër, i cili dukej se ishte ngjitur mbi të. Ende nuk është e qartë nëse shoferi humbi kontrollin apo nëse bëhet fjalë për ndonjë veprim të qëllimshëm (dhe të pakujdesshëm), por fotografitë flasin vetë – pjesa e pasme e veturës është ngjitur plotësisht mbi pjesën e përparme të veturës tjetër, duke krijuar një skenë që disa e kanë interpretuar si “parkim artistik”. Ky incident është vetëm një tjetër tregues i nivelit shqetësues të (pa)kulturës së trafikut në kryeqytet.
Në shkrim nuk jepet asnjë deklaratë zyrtare për atë që ka ndodhur, por vetëm hamendësime të pabazuara.
Megjithatë, në këtë rast nuk bëhet fjalë për ndonjë “parkim artistik”, siç përpiqet ta paraqesë postimi që po e analizojmë, por për një aksident trafiku në të cilin ishte i përfshirë edhe një automjet i tretë, për shkak të të cilit të dy automjetet kanë përfunduar të pozicionuara ashtu siç shfaqen në fotografinë e postimit.
Këtë e ka konfirmuar edhe vetë pronarja e njërës prej veturave, dr. Maja Kirjas, e cila ka publikuar një video në Facebook me një shpjegim për atë që ka ndodhur.
Makina është e imja! Ose më saktë, e vajzës sime. Ishte e parkuar rregullisht. Pas saj ishte parkuar një tjetër automjet. Në orën 6 të mëngjesit, nga restoranti “Dukat” dëgjuan një përplasje të fortë nga një automjet i tretë që goditi automjetin pas meje dhe makinën time Nissan! Ishte e parkuar siç duhet, përpara ndërtesës ku banojmë. Për fat të keq, videoja tregon gjithçka. Disa portale po e kthejnë këtë aksident të qytetarëve në një spektakël. Do të kisha një sugjerim për këto portale – mos përhapni lajme të rreme, që të mund të na lini të paktën një fije besimi në atë që lexojmë, thuhet në postimin në Facebook të dr. Kirjas.
Pra, nuk bëhet fjalë për ndonjë parkim të parregullt apo të joedukatë, por për përhapje të dezinformatave lidhur me një incident trafiku, për të cilin nuk janë pyetur as autoritetet zyrtare.
Për këtë arsye, postimin e vlerësojmë si të pasaktë.