Fjala e nxjerr fjalën – thotë populli. Intelektualisht dhe përtej, leximi e prodhon leximin tjetër; shkollarisht dhe akdemikisht, çdo lexim potencialisht prodhon shkrimin e radhës. Duke lexuar një intervistë të profesorit dhe politikanit të ndjerë Gilman Bakalli, na u riaktualizua termi interesant politologjik: post-demokracia, të cilin do ta zbërthejmë në këtë artikull. Kontekstualizimi do jetë pjesë e këtij elaborimi. Sipas Bakallit post-demokracia është një gjendje ku shumica e qytetarëve luan një rol pasiv dhe apatik, thjesht reagues ndaj sinjaleve që merren mediatikisht, ku nën hijen e një inskenimi politik, real-politika zhvillohet pas dyerve të mbyllura nga qeveritarët dhe elitat, të cilat para së gjithash përfaqësojnë dhe mbrojnë interesat ekonomike.
Neologjizmi post-demokraci i krijuar nga sociologu dhe politologu britanik Colin Crouch (1944), redaktor i prestigjiozes ‘The Political Quaterly’, shënon një trend në demokracinë liberale të nisur në vitet 1970 si kalim i pushtetit nga qytetarët dhe përfaqësuesit e tyre në institucione si korporatat dhe strukturat financiare. Me këtë term janë marrë edhe dijetarët francezë Chantal Mouffe dhe Jacque Rancière (post-demokracia konsensuale). Në post-demokraci, edhe pse komponentet demokratike si zgjedhjet, parlamentet dhe sundimi i ligjit, vazhdojnë të funksionojnë, pushteti kalon gjithnjë e më shumë në duart e entiteteve që nuk zgjidhen nga populli. Kjo çon në një dobësim të përfaqësimit demokratik dhe në një rritje të ndikimit të interesave të veçanta mbi vendimmarrjen dhe interesat publike. (Mareta, 2024)
Disa post-demokracinë e kanë quajtur edhe krizë të demokracisë përfaqësuese ose depolitizim, krizë të klasës punëtore, një gjendje boshllëku që është plotësur nga lobistët, nga elitat e (vetë)privilegjuara. Në këtë drejtim, shtetet e mirëqenies janë përballur me qeveri që i kanë dobësuar ato; ndërkohë sindikatat janë bërë të papërfillshme dhe hendeku midis të pasurve dhe të varfërve është rritur. (Aksoy, 2019) Në këtë lloj qeverisjeje shteti nuk përzihet në asgjë tjetër pos në sigurimin e lirisë së tregjeve; masat apo turmat e të shtypurve të paarsimuara lihen të nënshtruara para liderëve nga të cilët presin që të bëjnë diçka për ta. (Pütün, 2017)
Post-demokracia është gjendje e shëndetit të dobët të demokracisë (poor health of democracy). Në të, objektiv primar dhe ekzistencial është maksimizimi i vlerës së aksioneve. Në kuadër të partive politike janë formuar lidershipe politike më të përkushtuara ndaj vetvetes dhe lidhjeve me kapitalin e madh sesa ndaj realizimit të programit politik që i përket njerëzve të zakonshëm, zgjedhësve. Atyre, ky “trup zgjedhor” (pra, demosi) në të vërtetë nuk u nevojitet, madje i shqetëson duke u qëndruar mbi shpinë e kokë, përveç një dite të vetme çdo katër vjet.” Rritja e papunësisë, degradimi i forcës punëtore, ndotja e planetit, shpërdorimi i burimeve të rinovueshme, si dhe rritja e diferencave ekstreme midis pasurisë dhe varfërisë brenda shteteve dhe ndërmjet shteteve janë disa nga sfidat kryesore të këtij lloji të demokracisë. (mvinfo.hr)
Sheldon Wolin thotë se postdemokracia është lloj i demokracisë së epokës post-moderne, të rrethanave të reja plnetare si pasojë e transformimit të madh të botës, të paradigmave të reja shoqërore, shoqërisë së re globale dhe globalizimit. Në këtë kontekst demokracia përfundon në oligarki, madje ajo është e vdekur sepse dominon marketingu politik në funksion të simulimit të demokracisë. Aty zgjedhjet janë shndërruar në spektakël ose në shfaqje rreptësisht të kontrolluar; politikën e ka zëvendësuar estrada pa ide dhe pa program politik. (Milardović, 2015) Pas zgjedhjeve shoqëria funksionon si skenë e spektaklit dhe argëtimit, me pjesëmarrje të ulët të qytetarëve. Post-demokracia shenjon shoqëritë me ekuilibër të prishur në favor të pakicës, ku mbizotëron oligarkia; është epokë e tehnokracisë dhe netokracisë, konfigurim qeveritar në të cilin qeverisa elita e parasë, dhe ku interest e qytetarëve injorohen në favor të profitit korporal.
Post-demokracia nuk është jo-demokratike, as anti-demokratike, por mjaftohet me të drejtat demokratike dhe sociale; aty të drejtat ekonomike të bazuara në treg kanë primat mbi të drejtat sociale ose politike. Ajo ka dhe i përdorë të gjitha institucionet e demokracisë që gjithnjë e më shumë bëhen një mbështhjellës formal i shfrytëzimit të njeriut të thjeshtë dhe shtresave poshtë majës së piramidës ku qëndrojnë oligarkët, mogulët dhe baronët e rinj. /vazhdon/
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.