Portalet kryesojnë numrin e ankesave në Këshillin e Etikës në Media të RMV-së

Këshilli për Etikë në Media i Maqedonisë së Veriut (KEMM) sot prezantoi raportin vjetor për vitin 2023, lidhur me numrin e ankesave për raportim joetik në media. Të dhënat e prezantuara nga kryetari i Komisionit për Ankesa në KEMM, Mirçe Adamçevski, tregojnë se nga gjithsej 132 ankesa të pranuara, 110 i referohen mediave online, të cilat ai tha se janë më të shumtat në vend, por edhe shkelësit më të shpeshtë të rregullave për raportim të përgjegjshëm, transmeton Portalb.mk.

Rishikimi vjetor i ankesave të pranuara në KEMM në vitin 2023 tregon rritje të gjuhës së urrejtjes katër herë krahasuar me një vitin paraprak.

Tre nenet më të shkelura nga Kodi i Gazetarëve në vitin 2023, sipas rishikimit statistikor të KEMM, janë neni 1,10 dhe 7, madje në 31 ankesa është shkelur neni 1, ku thuhet “informacion i pasaktë dhe i pa verifikuar, mospasja e palës së dytë dhe mungesa e të paktën dy burimeve të palidhura reciprokisht’.

Foto: Këshilli për Etikë në Media

Në 15 ankesa është marrë vendim për shkelje të nenit 10 ku thuhet “gjuha e urrejtjes dhe nxitja e dhunës apo diskriminimit për çfarëdo baze” dhe në 8 ankesa është vërejtur shkelje e nenit 7 ku thuhet “gazetari duhet të respektojnë privatësinë e personit, përveç rasteve kur bie ndesh me interesin publik. Gazetari është i detyruar të respektojë dhimbjen dhe pikëllimin personal”.

Foto: Këshilli për Etikë në Media

Adamçevski gjithashtu tregoi se numri i ankesave të pranuara në vitin 2023 në krahasim me vitin paraprak është dyfishuar, përkatësisht në vitin 2022 janë pranuar 78 ankesa.

Foto: Këshilli për Etikë në Media

“Ankuesit më të shpeshtë në vitin 2023 janë qytetarët, kjo na gëzon si KEMM, ndaj Këshilli është organ i dukshëm që qytetarët mund t’i drejtohen dhe të bëjnë ankesa për sjellje joprofesionale të mediave. Pas qytetarëve vijnë organizatat joqeveritare, që do të thotë se edhe ata e bëjnë punën e tyre si kujdestarë të asaj që përfaqësojnë”, tha ai.

Foto: Këshilli për Etikë në Media

Çdo qytetar mund të bëjë ankesë pranë Këshillit të Etikës në Media, nëse mendon se një përmbajtje e caktuar është në kundërshtim me standardet etike të raportimit.

Etika në mediaGazetarë - Gazetari - MediaKëshilli për Etikë në Media (KEMM)