Politikani i sanksionuar nga SHBA, pengesa kryesore për formimin e qeverisë së Bullgarisë

Ndërsa Bullgaria shkon drejt zgjedhjeve të saj të shtata të përgjithshme në gati katër vjet, bashkë-udhëheqësi i DPS Delyan Peevski, i sanksionuar nga SHBA dhe Mbretëria e Bashkuar për korrupsion, paraqet disa pengesa në negociatat për të formuar një qeveri të rregullt në Sofje, shkruan Euractiv, transmeton Portalb.mk.

“Përderisa Peevski është në terren politik, nuk kemi mundësi të bisedojmë me DPS-në për politika. Nëse Peevski largohet nga terreni politik – atëherë ne tashmë do të jemi në gjendje të flasim”, tha Nikolai Denkov, i cili ishte kryeministër i Bullgarisë deri në mars të këtij viti dhe aktualisht është lider i grupit parlamentar të Vazhdojmë ndryshimin – Bullgaria Demokratike (PP-DB).

Deklarata e Denkov përkon me një ndarje në partinë e pakicës turke DPS (Rinovo Europe), forca e dytë politike në vend, bashkë-drejtues i së cilës është Peevski.

Gjatë dy javëve të fundit, Peevski ka luajtur me politikën e pushtetit në partinë e tij, duke u përpjekur të përjashtojë shumë anëtarë me ndikim që janë të afërt dhe besnikë të themeluesit të DPS-së, Ahmed Dogan, lider nderi i një prej formacioneve më të vjetra dhe më të qëndrueshme politike të vendit. Dogan nuk është deputet.

Nën udhëheqjen e Peevskit, 30 deputetë të DPS-së mbështetën zgjedhjen e një qeverie me mandat të GERB-it, megjithëse votat e tyre ishin të pamjaftueshme. Megjithatë, 17 deputetë të tjerë nga partia ndoqën kërkesën e Ahmed Dogan dhe votuan kundër qeverisë GERB-it. Menjëherë pas këtij votimi shpërtheu një stuhi e vërtetë në strukturat vendore të DPS-së, ku shumica e anëtarëve deklaruan besnikërinë e tyre ndaj Doganit.

“Kthim mbrapa nuk ka”, tha bashkëkryetari tjetër i DPS-së, Xhevdet Çakarov, i cili pa përmendur emrin e Peevskit tha se ai e ka udhëhequr partinë në mënyrë autoritare dhe se do të ketë ndryshime të mëdha.

Ngjarjet në DPS përfaqësojnë një përmbysje të madhe në jetën politike bullgare, pasi DPS e përkufizon veten si “garantues i modelit paqësor etnik bullgar”. Partia i jep një karakter laik pakicës 10% turke të vendit dhe ka ndjekur një politikë pavarësie nga Ankaraja për më shumë se 30 vjet. Në të njëjtën kohë, partia është akuzuar për korrupsion dhe klientelizëm, ku targetët kryesorë janë Dogan dhe Peevski.

Koalicioni pro-evropian PP-DB përfiton nga pozicioni i lëkundshëm i Peevskit në parti dhe kërkon që ai të largohet nga politika për të negociuar një qeveri me DPS dhe GERB.

“Ky propozim duhet të diskutohet me kujdes. Ka avantazhet e veta, por ka edhe problemet e veta”, tha Denkov.

Kriza politike e Bullgarisë filloi në vitin 2021 me rënien nga pushteti të kryeministrit të atëhershëm Bojko Borisov dhe partisë së tij GERB. Situata në Sofje e bën vendin më të varfër të BE-së veçanërisht të prekshëm ndaj ndikimit rus dhe dobëson krahun lindor të NATO-s.

“Peevski është i lidhur me pjesën më toksike të jetës politike bullgare për momentin. Heqja e tij nga politika do të ishte një frymë e freskët në konfigurimin aktual politik tepër kompleks. GERB do të mund të ndërvepronte shumë më lehtë me DPS-në nëse nuk do të kshte Peevski që do të hidhte një hije të errët mbi të. E njëjta gjë vlen edhe për PP-DB,” tha për Euractiv Bulgaria analisti politik Ivo Indzhov.

Bullgaria