Policia arrestoi 19 persona në njërin nga festivalet më të mëdha në Maqedoninë e Veriut

Në kuadër të festivalit treditorë që u mbajt në Maqedoninë e Veriut, Policia e Maqedonisë së Veriut ka arrestuar 19 persona nën dyshimet për përdorim të lëndëve narkotike, transmeton Portalb.mk.

“Gjatë kontrollit tek ata, si dhe gjatë kontrollit të automjeteve me të cilat kanë qarkulluar është gjetur marihuanë, materie e bardhë në gjendje pluhuri dhe tableta. Për rastet në fjalë është informuar Prokurori Publik, kurse pas dokumentimit të tyre kundër personave në fjalë do të parashtrohen kallëzime përkatëse”, raportoi Policia.

Policia theksoi që në listën e të arrestuarve më i moshuari është 34 vjeç, ndërsa më i riu ishte 17 vjeç. Të arrestuarit vinin nga qytete të ndryshme të Maqedonisë së Veriut, ndërsa 17 vjeçari ishte me shtetësi turke.

Prej 28-të deri 30-të qershor në Dojran u mbajt edicioni i 14-të i Festivalit “D-Festival”, në programin e së cilës ka muzikë, film dhe teatër në skena të ndryshme, realizuar nga artistët vendas dhe të huaj.

ArrestimDojraniLiqeni i DojranitMinistria e Punëve të Brendshme (MPB)