Poeti Visar Zhiti rreth antologjisë së poezisë së Luan Topçiut: I ngjan një kështjelle hijerëndë

KËSHTJELLË DHE URË MODERNE…

Doli në Rumani Antologjia e madhe e poezisë shqipe, përgatitur nga Luan Topçiu, ngjarje e bukur dhe me rëndësi në truallin e kulturës evropiane. Rreth 700 faqe, që përfshijnë të gjitha kohërat, që nga zanafilla deri në ditët tona të poezisë shqipe, te përkthyera në rumanisht nga vetë Dr. Luan Topçiu dhe zonja e tij Renata Topçiu-Melonashi.

Një tjetër kryepunë, kurorëzim i një përkushtimi shumëvjeçar, i njohjes dhe i ndjekjes se poezisë amtare, i talentit si përkthyes, i autoritetit si profesionistë, që ka, sigurisht, mirënjohjen e lexuesit të shumtë rumun, aq të pasur me poezi, ndaj hartuesit të antologjisë, i ngazëllyer për suksesin dhe i ndërgjegjshëm për atë subjektivitet të pashmangshëm që kanë antologjitë, duke lënë të papërfshirë autore sivëllezër që e meritonin, por që s’janë në antologji këtë radhë, mund të themi.

Duke qenë dhe përkthim, jo vetëm perzgjedhje poetësh dhe poezish, vështirësitë kane qenë më të shumta, mungesat më të justifikuara, se nuk ka vetëm poezi, por dhe autore të paperkthyeshëm, që gjithsesi s’duhet të ketë keqkuptime dhe duhet të kujtohemi që shpesh antologjitë janë punë kolektive studiuesish e specialistësh e grupe përkthyesish, akademish, etj., ndërsa Dr. Luan Topçiu i vetëm ia ka dalë duke i bërë një shërbim të madh poezisë shqipe në tërësi, letrave shqipe, kulturës kombëtare dhe meriton mirënjohjen dhe inkurajimin e mëtejshëm dhe lëvdatat e sinqerta.

Antologjia është vërtetë një arritje, i ngjan një kështjelle hijerëndë dhe një urë të re, moderne, vazhdim i bashkëpunimit kulturor në shekuj i dy popujve tanë, i miqësisë se dy vendeve tona, Shqipërisë dhe Rumanisë, tani të kthyer në art… Dhe sapo ka filluar jehona e botimit të kësaj antologjie të madhe.

Autor: Visar Zhiti

Kulturë lajmeLibraRumania
Comments (0)
Add Comment