POETI FJALËKURSYER

Murtezan Arifi kishte kulturë të gjerë. Ai e donte pafundësisht kombin, kulturën dhe gjuhën shqipe, njëkohësisht ishte kundër shfaqjeve ksenofobe. Si intelektual, ai e përkrahte çdo nismë që motivohej nga dëshira e pasioni për ta bërë shoqërinë tonë më të bukur, kurse si poet kurrë nuk e ngatërronte letërsinë me sociologjinë, politikën, etikën apo pedagogjinë.

Kur ishte në mesin tonë, Murtezan Arifi nuk e gëzoi lavdinë që e meritonte. Ai nuk i duronte “reflektorët e Hyjneshës Aktualitet”, siç shkroi Kundera. Nuk pëlqente të ishte në qendër të vëmendjes së opinionit publik edhe pse lexuesit kishte shumëçka të mençur për t’i thënë. Mbase shkaku i kësaj “tërheqjeje”, poezia e tij në fillim nuk komunikoi aq shumë me lexuesin. Sot poezia e Murtezan Arifit rikthehet në vëmendjen e lexuesve dhe lexohet me kënaqësi të veçantë estetike.

Murtezan Arifi nuk la krijimtari letrare voluminoze. Ai la si trashëgimi një krijimtari letrare cilësore, me vlera të çmuara artistike dhe të gjithëkohëshme.

Si poet u shqua që me krijimet e para të cilat i botoi në shtypin e kohës. Shumë poezi të tij u shpërblyen në konkurse letrare, veçanërisht në Prishtinë.

Murtezan Arifi është poet puro lirik, një tregimtar me sqimë, eseist mendimthellë, njeri shpirtbardhë dhe adhurues e njohës i pashoq letërsisë dhe gjuhës shqipe, që e ligjëroi me vite para nxënësve.

Në poezi ishte fjalëkursyer. Në poezitë e tij nuk ka asnjë fjalë më pak e asnjë fjalë më shumë. Gjithçka në vendin e vet.

Poezia e Murtezan Arifit shquhet për figurat artistike, të gjetura me kujdes dhe në funksion të paraqitjes së një gjendjeje shpirtërore.

Murtezan Arifi ishte fjalëkursyer edhe në prozë. Tregimet e tij ngjajnë si proza poetike. Janë tregime të shkurtra, me përshkrime mahnitëse dhe me fund befasues.

Murtezan Arifi botoi edhe shkrime eseistike e publicistike, veçanërisht në revistat “Tribuna – Sh” dhe “Brezi 9”. Sprovat e tij janë të shkruara sipas stilit “In medias res”, pra në thelbin e gjërave. Në këto shkrime ai trajtoi probleme socio-kulturore dhe politike, por i pandikuar nga zhurma e përditshmërisë.

Murtezan Arifi shkroi me gjuhë të këndshme, me paanësi, korrektësi, etikë, shpesh me sarkazëm, pa bërë kompromise kur bëhej fjalë për të vërtetën.

Ndihem i privilegjuar që e pata mik shpirti e zemre Murtezan Arifin.

Njerëzit vdesin kur i harrojmë. Murtezan Arifin e kemi kujtuar përherë dhe vazhdojmë ta kujtojmë. Prej se pushon në paqe, përherë e kam ndier një zbrazëtirë, të cilën, siç tha Dino Buzzati, “as shekujt nuk mund ta mbushin”.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Kolumnat e PortalbitSalajdin Salihu