Pjetri dhe Ujku, shfaqja simfonike për fëmijë vjen nesër në Tetovë

Në kuadër të programit vjetor të I.N. Ansambli Muzikor në Republikën e Maqedonisë së Veriut – Tetovë, më 04.10.2024, e premte, në skenën e Qendrës për Kulturë në Tetovë do të shfaqet përralla simfonike për fëmijë “Pjetri dhe Ujku”, një koncert i dedikuar për publikun më të ri, transmeton Portalb.mk.

Orkestra kamertale nën drejtimin e dirigjentëve Agona Çupi dhe Angel Spiroski, së bashku me narratorin Rrahim Ramadani, do t’i udhëheqin fëmijët në botën e muzikës klasike të Sergei Prokofiev, në dy shfaqje, një në gjuhën maqedonase dhe shqipe.

Përralla simfonike “Pjetri dhe Ujku” është një histori interesante dhe humoristike për djaloshin e guximshëm Pjetrin, i cili me ndihmën e kafshëve dhe gjuetarëve përpiqet të kapë ujkun e keq.

Çdo personazh në histori paraqitet me një instrument muzikor, të cilat së bashku formojnë një shoqëri muzikore të hareshme dhe të guximshme.

Ky është një koncert edukativ që i njeh fëmijët me muzikën klasike, me instrumentet muzikore, tonin e tyre dhe mundësinë për të përjetuar karakteret e përshkruara me muzikë.

Narrativa e gjallë i tërheq dëgjuesit e rinj në një aventurë, duke theksuar tema si: guximi, miqësia dhe rëndësia e të menduarit kritik.

Përralla simfonike “Pjetri dhe Ujku” në gjuhën shqipe do të interpretohet më 04.10.2024 (e premte) nga ora 16:00, dhe në gjuhën maqedonase nga ora 17:00.

Hyrja është falas. Koncerti është i dedikuar për fëmijë të moshës së hershme shkollore mbi 6 vjeç.

Ansambli Muzikor i TetovësFëmija/ëPallati i Kulturës Tetovë