Piktori Berat Luma mbrëmë në Tetovë solli një cikël të veçantë të pikturave

Mbrëmë në Galerinë e Arteve në Tetovë u hap ekspozita personale “Jeta ndër llupë” e piktorit nga Tetova Berat Luma. Në këtë ekspozitë u paraqitën 20 piktura të punuara në teknika të ndryshme, transmeton Portalb.mk.

Bota mikrobiale e Beratit e shprehur në pëlhurë bënë shfaqjen e tyre në formate përshtatëse sikur të ishin ndër lensën e mikroskopit të kapura dhe artistikisht të shprehura si asnjëherë më parë.

Mikroorganizmat si tematik, Berati i trajtoi si bazë mbështetëse gjatë diplomimit të tij, gjë që edhe e veçonte atë në qasje reale si artist pasi që jo rastësisht janë në planetin tonë së paku 3.7 bilion vite nga 4.6 bilion vitesh së ekzistimit të planetit tonë, “Tokën”.

Të jetuarit mbi Tokën dhe të jetuarit me të, për Portalb.mk Berati tha se e sheh si një dimension të ndërsjellët njeriun me natyrën në simbiozë absolute.

“Që nga fillimi i veprimtarisë time më kanë tërhequr format dhe objektet e ndryshme me kolorin e tyre vibrant. Kjo bëri tërheqjen e vëmendjes time ndaj formave, grimcave dhe elementeve tjera të imta që syri i njeriut nuk mund ti perceptojë në përditshmëri. Esenca e mikroorganizmave dhe mikrobeve me jetën është tepër komplekse dhe e ndërlidhët njëra me tjetrën saqë ne si qenie njerëzore s’jemi edhe aq të vetëdijshëm për rëndësinë dhe mbajtjen e kontinuitetit të tyre në përditshmërinë tonë”, tha Luma.

Fotografi nga ekspozita “Jeta ndër llupë” nga piktori Berat Luma

Përmes pikturimit të një sistemi të tillë kompleks që nga forma dhe kolori vibrant Berati sjell një botë komplet mahnitëse dhe frontale, veprat e realizuara në planimetri dhe shfaqje artistike hapin dimensione gati sureale.

Evoluimi nga vepra në vepër e Berat Lumës shtreson paletën e afinitetit të tij individual në qasjen e tematikës ndaj botës së mikroorganizmave dhe mikrobeve në pikturë.

Cikli në fjalë ngelë i hapur të vazhdohet edhe në të ardhmen.

Fotografi nga ekspozita “Jeta ndër llupë” nga piktori Berat Luma
EkspozitëKultura shqiptareKulturë lajme