Personat me nevoja të veçanta nga Tetova kërkojnë prej shtetit kushte më të mira dhe përfshirje politike

Personat me nevoja të veçanta të jenë pjesë e proceseve politike dhe të vendimmarrjes dhe shteti të krijojë kushte më të mira infrastrukturore për to. Këto ishin dy kërkesat kryesore që u bënë gjatë debatit “Pjesëmarrja politike e personave me aftësi të kufizuara” nga shoqata “Inkluziva” dhe Komuna e Tetovës, shkruan Portalb.mk.

Aktivisti për të drejtat e personave me nevoja të veçanta, Mahmut Izairi theksoi se ky aktivitet është ndërmarrë që kjo pjesë e shoqërisë të prezantohet në politikë.

Mahmut Izairi, aktivist për të drejtat e personave me nevoja të veçanta.

“Të jenë pjesë e shoqërisë përmes politikës që kur të merren ligjet për personat e kësaj kategorie, të jenë edhe ata prezent, jo vetëm si numër por edhe pjesëmarrës direkt”, tha Izairi.

Ai theksoi se Tetova si qytet është i palëvizshëm për personat me karrocë pasi lëvizja është e kufizuar, ndërkaq përmendi se ka institucione ku personat me karrocë nuk kanë qasje, si shembull përmendi Kadastrën e Tetovës e cila është në katin e dytë të Qendrës së Re tregtare, ku nuk ka ashensorë.

Izairi theksoi si shembull pozitiv pjesëmarrjen politike të personave me aftësi të veçanta në këshillin e Komunës së Gostivarit dhe Strugës.

Qytetarja Habibe Dauti tha se e ka shumë të vështirë të lëviz me karrocë ndërkaq se nuk kanë përkrahje nga shteti.

Habibe Dauti, qytetare.

“Unë e kam shumë problem kudo që të nisem me karrocë e kam problem të futem, sidomos në spital, nuk ka lift, nga shkallët është problem të hipësh, ose kur shkoj në shitore është problem. Mendoj se edhe të tjerët e kanë këtë problem jo vetëm unë. Prej fshatit të shkosh në qytet është problem me karrocë. Çka është më mirë për ne të bëhet, sidomos për ne që jemi me nevoja të veçanta, trotuaret, spitalet, shitoret”, tha Dauti.

Nga ana tjetër, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami u shpreh i gatshëm që si kryetar i Komunës, por edhe i partisë që udhëheq Lëvizjes Besa, që kësaj pjese të shoqërisë t’i dëgjohet zëri.

Bilall Kasami, kryetar i Komunës së Tetovës

“Në të ardhmen garantova se do të bëjmë më shumë edhe në Komunën e Tetovës por edhe në parti që zëri i tyre të jetë më i dëgjuar që nevojat dhe kërkesat e tyre dalë ngadalë të realizohen dhe të ndjehen të barabartë në komunën tonë por edhe në shoqëri në përgjithësi”, tha Kasami.

Në lidhje me pjesëmarrjen e personave me aftësi të veçanta në jetën sociale në Maqedoninë e Veriut, kritika kishte edhe në Raportin e fundit të Komisionit Evropian për vitin 2022 mbi progresin e Maqedonisë së Veriut në rrugën e saj të integrimit evropian. Aty theksohet se Maqedonia e Veriut ka bërë përparim të kufizuar në përmirësimin e të drejtave të personave me aftësi të veçanta. Raporti gjithashtu thekson se personat me aftësi të veçanta vazhdojnë të përballen me diskriminim të konsiderueshëm, të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë, për shkak të barrierave të lidhura me infrastrukturën, mungesën e informacionit dhe shërbimeve, qëndrimeve diskriminuese dhe përjashtimit social.

Bilall KasamiKomuna e TetovësPersona me nevoja të posaçme - veçanta - aftësi të kufizuaraRaporti i Komisionit Bashkimit Evropian (KE) për Maqedoninë