Përsëri asnjë shqiptar nuk u pranua te “Ujqit” e Maqedonisë së Veriut

Ka mbaruar kursi i seleksionimit në Batalionin për forca speciale në ARM të njohur si “Ujqit”, shkruan Alsat. Ashtu edhe siç pritej, asnjë shqiptar nuk është pjesë e grupit që janë kualifikuar për këtë njësi. Shtabi i Përgjithshëm konfirmoi se nuk ka pjesëtarë me përkatësi etnike shqiptare.

“Në mesin e kandidatëve të cilët e kanë kryer këtë seleksionim nuk ka pjesëtarë të Armatës të cilët i përkasin përkatësisë etnike shqiptare. Pjesëtarët të cilët nuk e kanë kaluar seleksionimin në tërësi kanë dhënë deklarata me vullnetin e tyre mbi arsyet e tërheqjes, ndërsa pjesëmarrësit të cilët kanë kaluar gjysmën e seleksionimit (12 ditë) mbeten pjesë e batalionit të zbulimit (ish batalioni “Renxherët”) i cili gjithashtu është pjesë e njësive speciale”, tha Shtabi i Përgjithshëm i ARM-së.

Kursi i seleksionimit zgjati 24 ditë, ndërsa u spikat nga dy momente: e para rrahja brutale e kandidatit shqiptar nga ana e pjesëtarëve të tjerë e që bëri i njëjti të mos jetë pjesë e “Ujqve” dhe e dyta vdekja e ushtarit 25 vjeçar gjatë ushtrimeve përfundimtare, ecja në terrene malore prej 100 kilometrave.

Ndryshe, një kandidat shqiptar, i cili po kalonte provat për t’u bërë pjesë e forcave speciale “Ujqit” në kuadër të Armatës së Republikës së Maqedonisë (ARM), në muajin qershor është rrahur brutalisht nga kolegët e tij.

“Ujqit” si njësit special u krijuan në vitin 1994, mirëpo deri tani nuk ka regjistruar asnjë shtetas të etnive tjera, përpos asaj maqedonase.

Armata e Maqedonisë së Veriut (ARM)Ministria e Mbrojtjes (MM)Punësime partiakeTë drejtat e punëtorëveUshtar(e) Ushtri