Situata me problemet masive shëndetësore në Gostivar ka nxitur reagime të shumta nga ekspertët dhe partitë politike, ndërsa priten rezultatet përfundimtare të analizave laboratorike që do të tregojnë nëse shkaku lidhet me ujin e pijshëm. Profesori i Fakultetit të Mjekësisë në Shkup dhe ish-drejtori i Institutit të Mikrobiologjisë dhe Parazitologjisë, dr. Nikolla Panovski, vlerëson se në Gostivar tashmë ekziston një epidemi e gastroenteritit. Ai kritikoi shërbimet epidemiologjike për mosreagim, duke theksuar se janë regjistruar rreth 1.500 persona me simptoma të njëjta, ndërsa sipas tij të paktën edhe 5.000 të tjerë nuk janë paraqitur te mjeku, transmeton Portalb.mk.
“Në një qytet janë sëmurë 30% e popullsisë nga e njëjta sëmundje, e megjithatë nuk ka kushte për shpalljen e epidemisë! Bravo atëherë. Epidemiologë, ku jeni? Kjo nuk është politikë, kjo është detyra juaj të reagoni”, shkroi dr. Panovski në profilin e tij në Facebook.
Nga ana tjetër, LSDM konsideron se shpallja e epidemisë është e domosdoshme dhe se kjo nuk duhet të jetë çështje politike, por një masë për mbrojtjen e shëndetit publik. Sipas partisë, ekspertët tashmë kanë bërë të qartë se në Gostivar ekziston një epidemi e gastroenteritit, pavarësisht nëse ajo shpallet zyrtarisht apo jo.
LSDM thekson se shpallja e epidemisë do të mundësonte koordinim më të shpejtë të institucioneve dhe zbatim më efikas të masave për parandalimin e përhapjes së mëtejshme të sëmundjes, duke shtuar se mijëra qytetarë janë prekur dhe situata kërkon reagim serioz dhe profesional nga autoritetet.
“Mijëra qytetarë janë të sëmurë në Gostivar dhe situata kërkon një reagim serioz dhe të përgjegjshëm nga institucionet kompetente”, kërkoi LSDM.
Në anën tjetër, VMRO-DPMNE akuzon pushtetin lokal në Gostivar, të udhëhequr nga koalicioni i LSDM-së, BDI-së dhe Arben Taravarit, se me menaxhim të papërgjegjshëm ka rrezikuar shëndetin e qytetarëve. Partia opozitare pretendon se mbi 1.000 banorë, përfshirë edhe fëmijë, kanë kërkuar ndihmë mjekësore me simptoma helmimi, ndërsa si shkak i mundshëm përmend ndotjen e ujit të pijshëm.
Sipas VMRO-DPMNE-së, ekziston dyshimi se autoritetet komunale kanë vendosur pompa në ujëra të ndotura për të rritur presionin në rrjetin e ujësjellësit, duke kërkuar hetim të plotë dhe përgjegjësi ligjore për këdo që mund të ketë rrezikuar shëndetin e qytetarëve.
“Sipas informacioneve, ekziston dyshimi i bazuar se shëndeti i qytetarëve është i rrezikuar drejtpërdrejt, sepse autoritetet komunale kanë instaluar pompa në ujërat e zeza për të rritur presionin në rrjetin e furnizimit me ujë. Kjo mënyrë e drejtimit të qeverisjes vendore, e cila i ka lënë qytetarët pa të drejtën elementare për ujë të pijshëm të pastër dhe të sigurt, është provë se SDS, BDI dhe Taravari nuk kanë kapacitet për të udhëhequr komunën”, deklaroi VMRO-DPMNE.
Ndërkohë, Instituti i Shëndetit Publik, me kërkesë të Prokurorisë Publike, ka marrë mostra në terren për analiza mikrobiologjike dhe fiziko-kimike. Rezultatet përfundimtare laboratorike pritet të tregojnë nëse problemet shëndetësore lidhen me ujin e pijshëm.
Prokuroria Themelore Publike e Gostivarit njoftoi se është në koordinim të vazhdueshëm me Institutin e Shëndetit Publik, ku me urdhër të prokurorit publik po kryhen analizat dhe testimet e cilësisë së mostrave të ujit nga sistemi i ujësjellësit të Gostivarit. Sipas njoftimit, rezultatet pritet të jenë gati nesër dhe t’i dorëzohen prokurorisë kompetente, e cila më pas do të vendosë për hapat e mëtejshëm të procedurës dhe do ta informojë publikun për zhvillimet. Ndërkohë, me urdhër të prokurorit publik, lokacioni në Vrutok vazhdon të mbetet i siguruar.
“Prokuroria Themelore Publike e Gostivarit është në koordinim të vazhdueshëm me Institutin e Shëndetit Publik, ku me urdhër të prokurorit publik po kryhen analizat dhe testet e cilësisë së mostrave të ujit në ujësjellësin e Gostivarit. Sipas njoftimeve, rezultatet duhet të jenë gati nesër dhe t’i dorëzohen prokurorisë kompetente, pas së cilës do të merret vendim për rrjedhën e mëtejshme të procedurës, dhe publiku do të informohet. Ndërkohë, me urdhër të prokurorit publik, lokacioni në Vrutok mbetet i siguruar”, thuhet në njoftim.
Deri në publikimin e rezultateve laboratorike, institucionet nuk kanë konfirmuar zyrtarisht shkakun e rasteve masive të gastroenteritit në Gostivar, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rastit vazhdojnë.
Nga Spitali i Përgjithshëm “Ferid Murad” kanë konfirmuar se në repartin infektiv dhe atë pediatrik ka një numër të shtuar kontrollesh dhe qytetarësh që ankohen për diarre, dhimbje barku, të vjella dhe temperaturë të lartë. Sipas gjetjeve fillestare dhe pamjes klinike, me shumë gjasa bëhet fjalë për viroza sezonale dhe nuk ka lidhje epidemiologjike mes rasteve.
Nga Departamenti për Higjienë dhe Ekologji Shëndetësore të Qendrës së Shëndetit Publik-Gostivar, kanë konfirmuar se është kryer një kontroll i jashtëzakonshëm dhe janë marrë mostra nga katër pika matëse.
Autoritetet shëndetësore bëjnë apel që qytetarët të kenë kujdes më të madh për higjienën dhe zakonet e përditshme, veçanërisht gjatë periudhës së verës kur temperaturat janë të larta dhe rreziku nga infeksionet e zorrëve rritet ndjeshëm.
Pas raportimeve për ndotje të ujit në Gostivar, nga Ministria e Punëve të Brendshme njoftojnë se institucionet kompetente janë në terren dhe se po merren masa për zbardhjen e rastit.
Ndryshe, nga Prokuroria Themelore njoftuan se po ndërmerren veprime në lidhje me kontrollin e cilësisë së ujit në Gostivar.