Përplasja e qytetërimeve dhe euroazianizmi

Samuel Huntingtoni doli me teorinë se në të ardhmen burimi i konflikteve në botë do të ishin identitetet kulturore dhe fetare. Në librin Përplasja e qytetërimeve dhe ribërja e rendit botëror, ai renditi shtatë qytetërime: kinez, japonez, hindu, islamik, ortodoks, perëndimor, latino – amerikan dhe qytetërimin e mundshëm, atë afrikan.

Huntingtoni mendon se tipari qendror dhe përcaktues i qytetërimeve është feja; se politika globale riformësohet në përshtatje me vijat kulturore; se nuk kemi qytetërim universal dhe as perëndimorizim të shoqërive joperëndimore; se Perëndimit i bie ndikimi relativ; se qytetërimet aziatike e zgjerojnë fuqinë e tyre ekonomike, ushtarake dhe politike; se Islami përjeton shpërthim demografik me pasoja destabilizuese për vendet myslimane dhe fqinjët e tyre; se qytetërimet joperëndimore e riafirmojnë vlerën e kulturës së vet; se krijohet rend botëror i mbështetur në qytetërime; se mëtimet universaliste të Perëndimit e fusin në konflikt me qytetërimet e tjera, në formën më të rëndë me Islamin dhe Kinën; se mbijetesa e Perëndimit varet nga riafirmimi prej amerikanëve i identitetit të tyre Perëndimor dhe nga pranimi prej Perëndimorëve se qytetërimi i tyre është unik, por jo universal; se Perëndimorët duhet të bashkohen për përtëritjen dhe mbrojtjen e tyre ndaj sfidave prej shoqërive joperëndimore; se shmangia e një lufte globale të qytetërimeve varet nga udhëheqësit e botës, të pranojnë dhe të bashkëpunojnë për të ruajtur natyrën me shumë qytetërime të politikës globale. (Samuel P. Huntington, Përplasja e qytetërimeve dhe ribërja e rendit botëror, përktheu Xhevat Lloshi, Logos-A, Shkup, 2004, f. 13-16.).

Sipas tij, qytetërimet mund të përplasen sepse dallojnë për nga historia, gjuha, kultura, tradita dhe feja; se dallimet e krijuara ndër shekuj nuk zhduken shpejt dhe nga shkaku se vendet joperëndimore kanë këndvështrim tjetër mbi botën…

Në planin teorik kjo teori duket e pabazuar, sepse qytetërimet nuk janë tërësi homogjene. Në planin praktik ajo mund të keqpërdoret për qëllime politike dhe strategjike.

Qytetërimet janë krijuar në ndërveprim me qytetërimet e tjera. Kulturat greke dhe romake, si bazë e qytetërimit perëndimor, huazuan nga kulturat e tjera. Nëse grekët përvetësuan vlera nga sistemet e ndryshme kulturore dhe qytetërimore, romakët përvetësuan vlera nga kultura greke. Kjo vlen edhe për ilirët, trakët etj. Pra, nëse qytetërimet do të përplaseshin, atëherë do të duhej të përplaseshin edhe me një pjesë të tyre.

Miti i grabitjes së Europës e shpreh figurativisht këtë ndërthurje. Madje thuhet që “Europa vjen nga Azia”.

Një teori për dallimet ndërqytetërimore u afirmua në shekullin XIX edhe nga ideologët e euroazianizmit. Ata mendonin (dhe mendojnë) se qytetërimi rus nuk ishte as europian dhe as aziatik, por një qytetërim i veçantë.

Filozofi rus Pyotr Chadayev-i e theksoi këtë ndarje, por në kontekst të prapambetjes së kulturës ruse kundrejt kulturës perëndimore.

“Ne nuk i takojmë asnjërës familje të madhe të racës njerëzore. Nuk i takojmë as Perëndimit, as Lindjes dhe nuk kemi tradita të asnjërës prej tyre”, shkroi Chadayev-i në fillim të shekullit XIX. Pasi e kritikoi ortodoksinë dhe i vlerësoi arritjet e Europës, ai u shpall i rrezikshëm, madje edhe i çmendur.

Lëvizja e euroazianizmit u riafirmua dhe fitoi përkrahje gjatë periudhës së Putinit. Në strategjinë për politikën e jashtme euroazianiste dhe antiperëndimore (2003), thuhet se Rusia është “vend – qytetërim i veçantë dhe fuqi e madhe euroaziatike e euro – paqësore”, që duhet të krijojë “partneritet të madh euroaziatik” dhe të zhvillojë marrëdhënie të ngushta me Kinën, Indinë, vendet e botës islame dhe pjesën tjetër të botës. Ideja për “qytetërimin e veçantë rus” përmblidhet në projektin antiperëndimor “Bota Ruse”.

Ithtarët e euroazianizmit mendojnë se një Ukrainë e europianizuar paraqet rrezik për Rusinë dhe se Rusia mund të bëhet konkurrente në skenën botërore vetëm duke qenë prijëse rajonale dhe mbartëse e projektit “Bota ruse”. Madje, ky projekt duhet të shtrihen kulturalisht në vende larg kufijve të saj, veçanërisht në Ballkan. Edhe Huntingtoni nuk e përjashtoi ndarjen e Ukrainës sipas një “vije kulturore.

Në pushtimin e Ukrainës, siç shihet, ndikuan edhe idetë e filozofëve rusë. Kështu ndodhi edhe në Jugosllavinë e dikurshme, ku ideatorët kryesorë të përplasjeve etnike ishin njerëzit e kulturës.

Nga e sipërthëna, mund të konstatojmë se në emër të përplasjes së qytetërimeve, sot ndodh një rreshtim i ri gjeopolitik dhe gjeostrategjik, kurse qëllimi kryesor është mbizotërimi ushtarak, politik, kulturor dhe veçanërisht ai ekonomik.

Përderisa përplasja e qytetërimeve është e pabazuar, bashkëpunimi ndërkulturor dhe ndërqytetërimor është i natyrshëm, por nuk është i leverdishëm për ata që nuk merakosen për këtë bashkëpunim.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Kolumnat e PortalbitSalajdin Salihu